Tekniku Ernest Gjoka i ftuar në studion e “Fair Play nga Enkeleida Zeko” ka komentuar largimin e trajnerit të Kastriotit, Elvis Plori, ku e ka përgëzuar për guximin e treguar. Ai tha se puna e trajnerit është e vështirë dhe se një person duhet të ketë karakter të fortë për ta marrë këtë punë përsipër.

“Një trajner kur bën dorëheqjen ka disa parime kur jep tërheqjen. Nuk është kollaj që në ditët e sotme të largohesh nga puna dhe të largohesh nga ajo punë që ti ke marrë përsipër ta bësh edhe ta bësh mirë. Sepse puna e trajnerit është një punë shumë e vështirë dhe çdo trajner që hynë në fushë, futet për të marrë fitoren.

Dhe si suksesi dhe dështimi janë si vëllezër binjak. Por është kismeti që kush të bie nga pjesët e vëllezërve gjatë punës që ke. Kur një trajner kupton që skuadra nuk po të përgjigjet dhe rezultatet mungojnë.

Pra ajo që ai kërkon nuk përshtatet në skuadër, kur atë që e ndërton ditë pas dite prishet gjatë gjithë natës, atëherë një trajner që ka karakter, që ka parim te vetja e vet thotë do të iki.

Të lësh një punë nuk është e rëndësishme se kur e lë, e rëndësishme është që e kupton se nuk shkon diçka. Është një vendim shumë i rëndësishëm dhe i guximshëm sepse janë të shumtë trajnerët që e kuptojnë por vijojnë të jenë aty.

Kur një trajner është inteligjent dhe e kupton duhet të iki. Është ndryshe kur ai shkarkohet sepse është në bazë të rezultatit.”-tha Gjoka.