Në ndeshjen e së dielës ndaj Vllaznisë, në rradhët e skuadrës së Burrelit kanë luajtur edhe tre futbollistë shkodranë. Ai më me përvojë padyshim që është mbrojtësi i majtë Admir Ujkaj i cili luan prej disa sezonesh me këtë skuadër. Përveç tij është edhe mbrojtësi tjetër Rudolf Popaj por edhe portieri Ardian Hila.

Ky i fundit vërtetë pësoi tre gola ndaj kuqebluve por në asnjërin prej tyre nuk ka qenë fajtor. Ai është munduar të bëjë siç duhet detyrën e tij dhe ia ka dalë. Hila ndonëse është vetëm 20 vjeç, është shndërruar në protagonist për matjanët. Ai luan sezonin e dytë me ta, ndërkohë që më përpara ka provuar të luajë edhe me Adën e Veleçikun në kategorinë e parë e të dytë.

I dalë nga Akademia Vllaznia, ky portier tenton nga ndeshja në ndeshje të paraqitet ashtu si duhet, për t’i ngjitur një e nga një shkallët e karrierës. Trajneri Plori aktualisht po i vlerëson paraqitjet e tij dhe me siguri nuk do ta lejojë të largohet në janar.

Ardian Hila pritet të ketë një karrierë të suksesshme përpara sepse kemi të bëjmë me një portier jo shumë shtatëlartë, por shumë efikas në lojën poshtë me intuitën dhe përgatitjen e mirë fizike që ka.
© shkodrasport.com