Eros Grezda ishte transferimi më i bujshëm i vitit të kaluar, i një futbollisti të kombëtares shqiptare. 23-vjeçari nga Gjakova, kaloi nga Osijeku në Kroaci te Rangers në Skoci. Një hap i madh në karrierë, që në fakt ishte një nga gjërat më të bukura për vetë futbollistin kuqezi. Këto ditë, Grezda po kalon pushimet e fundvitit në Tiranë, përpara se të niset drejt Tenerifes në Spanjë, ku do ti bashkohet ekipit për fazën përgatitore të dimrit.

Sulmuesi i krahut i një prej ekipeve legjendare skoceze, Gllasgou Rangers, ne një intervistë, ka rrëfyer shumë nga aventura e tij në Skoci me skuadrën e re. Grezda ka folur për marrëdhënien e veçantë që ka me trajnerin Steven Gerrard, aktivizimin me skuadrën, dëmtimet, përshtatjen me kushtet atmosferike, femrat skoceze dhe padyshim tifozët e Rangers, që e kanë bërë Grezdën të ndihet futbollist i vërtetë. Gjithashtu i ka folur edhe për kombëtaren shqiptare të futbollit, teksa ka veçuar faktin se trajnerin Panucci nuk është fajtor për mungesën e rezultateve.

Si e pritët ndërrimin e viteve?

Ishte një vit mjaftë i suksesshëm do të thoja për mua, sepse ndërrova skuadër. Shkova në një ekip shumë të madh, me shumë traditë, me shumë kulturë, siç është Gllasgou Rangers. Duhet që dhe gjërat e kqija ti kujtoj, pasi kalova një lëndim që më la për katër muaj jashtë. Për këtë arsye u detyrova të bëj një ndërhyrje në kavilje. Kjo më la shumë mbrapa, mirëpo erdhi transferimi dhe tani kam një kontratë për katër vjet me Rangers. Jam shumë i lumtur aty.

Ishte këmbëngulja e një legjende, Steven Gerrard, që ti të shkoje aty. Na zbulo disa detaje nga ky transferim. Çfarë e bindi Gerrardin?

Do të thoja që ishte fat për mua sepse luajtëm ndeshjet eliminatore të Europa League, ku në raundin e dytë ishim me Rangers, dhe unë isha pjesë e Osijek. Normalisht, ata si një ekip shumë profesionist që janë, kanë bërë analizën e gjithë ekipit, të gjithë lojtarëve, dhe u kisha rënë në sy unë. Pastaj morën shokun tim të ngushtë, mbrojtësin e kombëtares së Kroacisë, Borna Barisic, dhe kur e kanë pyetur atë se çfarë lojtari jam, ai ka thënë fjalët më të mira. Intersimi i madh i tyre dhe gjithçka u finalizua shumë shpejtë.

Momenti që u i informove se do të bëheshe pjesë e Rangers dhe do trajnoheshe nga një legjendë si Gerrard, mund të cilësohet si momenti më i veçantë për ty në karrierë?

Normal, është një privilegj shumë i madh për mua, që të stërvitem dhe të jem nën drejtimin e një njeriu dhe lojtari shumë të madh siç ka qenë Steven Gerrard. Është një trajner shumë i mirë, është shumë profesionist, i bën të gjitha gjërat me shumë pjekuri dhe i studion të gjitha gjërat shumë mirë. Jam i lumtur që punoj me të, e kam përmirësuar lojën time sepse më ka ndihmuar shumë, shpresoj të vazhdoj kështu dhe në të ardhmen.

Si ishte momenti i parë i takimit me Gerrard?

Ishte njeri shumë i thjeshtë, të lë përshtypje shumë të mira menjëherë. Më ka afruar shumë mirë me grupin, më ka folur shumë mirë, gjithë kohës kam pasur mbështetjen e tij dhe më ka ndihmuar shumë.

Këshilla më e mirë që të ka dhënë?

Sa herë jam futur në fushën e lojës, gjithmonë më ka thënë bëj atë që di të bësh më mirë. Ne besojmë te ty prandaj je këtu ku je. Është një komunikim shumë i afërt, është sikur flet me një shok. Nuk e ndiej veten në presion kur flet me të.

U larguat nga Kroacia me klimë mesdhetare dhe shkuat në Skoci me një klimë të lagësht. Sa e vështirë ka qenë përshtatja?

Unë e kam pasur pak të vështirë të përshtatem, pasi jo vetëm klima pasi ka shumë gjëra që dallojnë njëra me tjetrën. Mirëpo unë jam çun që pështatem shumë shpejt me të gjitha gjarët, kështu që nuk e kam problem.

Keni kaluar momente të vështira me dëmtimin deri sa arritët formën tuaj më të mirë. Por aktualisht si paraqitet gjendja juaj te Rangers?

Në fillim ishte një periudhë shumë e vështirë për mua, sepse kur nënshkrova kontratën me Rangers kam qenë në një formë shumë të dobët e imja. Sapo u ktheva nga dëmtimi, sapo kisha filluar të vrapoja dhe të bëja gjëra fillestare. Mirëpo me kalimin e kohës, lojtarët e tjerë ishin në formë dhe unë duhet të kapja ritmin. Nuk kisha minuta në këmbë, ndaj ndeshjet e kombëtares më ndihmuan dhe gradualisht arrita formën e mirë. Në dy ndeshjet e fundit pësova një lëndim të vogël, mirëpo para saj isha në formë shumë të mirë.

Në ndeshjen e parafundit ju u zëvendësuat, pati shumë kritika në media por dhe nga trajneri. Mund të na qartësoni si qëndron e vërteta?

Ato gjëra që ndodhin në dhomat e zhveshjes normalisht që nuk dalin jashtë. Një ditë para ndeshjes ndjeva diçka te pulpa. Kisha dy ndeshje që luaja në formacion, luajta shumë mirë në ato dy ndeshje dhe nuk doja ti thoja trajnerit për problemin tim. U futa dhe ajo bëri të vetën, unë isha dobët sepse kur nuk je në 100%-in tënd nuk mund të shfaqesh më së miri. Pastaj është normale, kritikat do vijnë sepse është klub i madh dhe përcillet nga mijëra njerëz. Çdo ndeshje shihet nga 50 mijë shikues edhe një paraqitje e dobët, jo vetëm e imja, bie shumë në sy. Kështu që besoj se kjo është arsyeja e kritikave.

Cili është konkurenti brenda skuadrës, Candeias apo Morelos?

Në çdo pozicion kemi dy ose tre lojtarë, kemi lojtarë shumë kualitativ. Tashmë ka ardhur dhe Defo, besoj që të gjithë e njihni. Është konkurencë shumë e madhe, mirëpo kjo nuk është problem, unë duhet të vazhdoj të punoj.

Lufta me Celtik për titullin kampion?

Ishte një rezultat shumë i mirë ky i ndeshjes së fundit, pasi fituam një derbi të madh Celtikun. Është një rival direkt, i përjetshëm do thoja. Besoj që kemi shanse shumë të mira sepse kemi një skuadër shumë të mirë. Edhe Celtiku ka skuadër shumë kualitative, mirëpo kampionati është i gjatë dhe mund të ndodhë gjithçka.

Flasim pak për kombëtaren. Jemi vetëm dy muaj larg fillimit të eliminatoreve të Euro 2020. Si e shihni grupin dhe sa shanse kemi për të përsëritur Euro 2016?

Normalisht që ky është qëllimi ynë kryesor që të shkojmë në Europian, mirëpo kemi një grup të vështirë. Nuk e shoh si të pamundur. Veç Francës të gjithë rivalët e tjerë mund ti mundim. Edhe me Francën kemi treguar që kemi fituar, mirëpo janë shumë shumë skuadër e fortë kohët e fundit. Duhet të jemi bashkë, të kthejmë atë shpirtin tonë luftarak siç e kemi pasur gjithmonë. Siç e treguam dhe në ndeshjen e fundit kundër Uellsit, besoj se ai është moduli që duhet të ndjekim dhe ashtu duhet të luajmë.

Çfarë i ka munguar Shqipërisë në 2018, që pothuajse në të gjitha ndeshjet ka pasur rezultate shumë zhgënjyese?

Përveç lojtarëve, që kanë munguar disa lojtarë shumë kyç, mendoj që dhe besimi nuk ka qenë ai që ne kishim më herët. Duhet të jemi më me besim, të futemi në ndeshje me motivim dhe të jemi gjithmonë të bashkuar sepse në futboll koha ka treguar që vetëm kur luan si skuadër, atëherë do vijnë dhe rezultatet. Nëse dy ose tre lojtarë nuk janë në ditë të mirë, është shumë e vështirë që të kesh një rezultat pozitiv.

I mungon lideri këtij ekipi, siç ka qenë Lorik Cana, apo të tjerë lojtarë më herët?

Unë nuk kam qenë në kohën e Lorikut apo me të tjerët, nuk kam qenë në grup dhe nuk e di se si ka qenë. Mirëpo nga jashtë që e kam parë është e vërtetë që duhet të kesh një lider në skuadër. Ende nuk e kemi gjetur se kush është lideri, por shpresoj që këtë vit të kemi një që na udhëheq. Mirëpo, siç e thashë, gjëja kryesore është të jemi të bashkuar, kështu do të bëjmë rezultat të mirë.

Si është marrëdhënia me trajnerin Panucci?

Personale…

Po dhe personale por dhe në përgjithësi në grup…

Unë kam marrëdhënie shumë të mira me të, mua më ka ndihmuar shumë sidomos me ikjen e De Biassit erdhi Panucci dhe mua më dha shumë hapësira. Kurse me grupin, i kemi raportet shumë të mira, na pëlqen puna me të, por nuk besoj se Pancci ishte arsyeja që kombëtarja jonë nuk kishte rezultate kohët e fundit…

Cila është arsyeja?

Forma e lojtarëve, lëndimet, mos aktivizimi në skuadra e tyre, të gjitha këto bëjnë të vetën dhe kur grumbullohen del që nuk do kesh rezultate.

Eros, sërish flasim për Skocinë. Cila ka qenë gjëja më e veçantë që ke përjetuar jashtë fushe deri më tani në Skoci?

Një gjë që të bie shumë në sy, është se kur del në qytet krijohet një ndjenjë shumë ndryshe. Kur isha në Kroaci apo kur vij në Shqipëri nuk të “shqetësojnë”, ndërsa atje të gjithë njerëzit vijnë bëjnë foto, nuk mund të ecësh. E kanë kulturën ashtu dhe i vlerësojnë shumë futbollistët dhe futbollin. Është e pamundur kur del në qytet, të mos bësh foto gjithë kohës, pa dhënë autografe. Kjo është, e ndjenë veten futbollist, është një ndienjë shumë e bukur.

Femrat skoceze, më mirë se në Kroaci, Shqipëri apo Kosovë?

Janë të mira, mirëpo unë pëlqej më shumë shqiptaret dhe kroatet.

Momenti më i vështirë që ke kaluar në Skoci?

Jo nuk kam pasur, mirëpo dy muajt e parë ishte shumë e vështirë për shkak të lëndimit. Vetëm ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua, sepse duhet të punoja shumë dhe nuk po luaja për shkak të formës jo të mirë. Besoj që ka qenë periudha më e vështirë.

Skocezët flasin në dialekt shumë të vështirë, për ty si ka qenë?

Në fillim kur shkova atje, sepse anglishten e flas shumë mirë, ishte një dialekt komplet ndryshe. Ka ndodhur shpesh që nëpër intervista më pyeste për diçka dhe unë i përgjigjesha për diçka tjetër sepse nuk e kuptoja pastaj dilte komplet ndryshe. /telesport/