Mbase për opinionin sportiv është i panjohur megjithatë në Shkodër por edhe në stafin e ekipeve kombëtare emri i tij është i evidentuar. Bëhet fjalë për portierin Enis Ujkaj i cili është ftuar në Kombëtaren U17 të Shqipërisë për turneun që do të zhvillojë këto ditë në Turqi.

Në kampionatin e Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës ku ai luan, ky portier ka spikatur me performancën e tij. Jo më kot ka qenë edhe pjesë e kombëtares U15 në kohën kur ajo drejtohej nga trajneri Eqerem Memushi. Po kush është Enis Ujkaj?

Më 15 janar do të mbushë 15 vjeç, ka një gjatësi rreth 1.85 m dhe dallohet për aftësitë e tij në portë. Bën pjesë në ekipin “Scutari” që drejtohet nga trajneri Fatjon Hasa me të cilin është në foton e këtij shkrimi dhe padyshim që konsiderohet një element i së ardhshme për portën shkodrane dhe atë kombëtare.

Me siguri që edhe në turneun e Turqisë do të dijë të tregojë vlerat e tij nëse stafi teknik vendos t’i besojë. Enis Ujkaj është një sportist i së ardhmes dhe me parametrat që ka me siguri që do të bëjë emër.
© shkodrasport.com