Pikërisht sot mbushën plot 5 vjet që futbolli shkodran dhe ai shqiptar ka humbur një emër të madh: Zamir Shpuzën. Në mënyrë krejt të papritur, vetëm 45 vjeç duke lënë pas një brengë të madhe tek familja, shokët dhe miqtë e tij.

Ish- futbollisti i Vllaznisë, Partizanit, Buduçnostit, Kombëtares shqiptare por edhe i disa ekipeve gjermane, u largua para kohe nga kjo jetë por duke lënë pas një karrierë të suksesshme dhe shumë kujtime të bukura.

Zamir Shpuza ka lindur në Shkodër më 26 qershor 1968. Nis të merret me futboll që është pasioni i tij i madh dhe kalon tek ekipi Vllaznia, më pas luan për pak kohë tek Veleçiku, për t’u kthyer në Shkodër e më pas kalon tek Partizani në Tiranë.

Kthehet sërish në Shkodër ku është titullar i padiskutueshëm i formacionit kuqeblu ndërkohë që në janar të vitit 1992, Shpuza bashkë me Bishën do të kalonin tek Buduçnosti i Podgoricës.

Ai do të rikthehej sërish tek Vllaznia në verën e atij viti sërish në Shkodër tek Vllaznia me të cilën do ta nisë sezonin 1992-93 por vetëm për pak kohë sepse si¤ dihet në nëntor të atij viti, shumica e ekipit shkodran vendosi të mos kthehej në Shqipëri pas turneut që zhvilloi në Francë.

Dhe Zamiri ashtu si shumë kolegë të tij, vendosi të shkonte në Gjermani, aty ku jetoi derisa ndërroi jetë. Ai ka vazhduar të luajë edhe në këtë vende, fillimisht me FV Speyer ndërsa më pas ka kaluar tek Waldhof Mannheim.

Gjatë këtyre viteve ka qenë edhe anëtar i kombëtares shqiptare të futbollit me të cilën ka luajtur disa ndeshje. Pas lënies së futbollit, ka nisur të merret me menaxhimin e futbollistëve. Ai u nda nga jeta më 10 janar 2014, në moshën 45 vjeçare pas një sëmundje të rëndë, por duke lënë pas emrin dhe një karrierë shumë të suksesshme.
© shkodrasport.com