Dita e sotme është e veçantë për një emër shumë të njohur në Shkodër e më gjerë. Arbitri i njohur i futbollit Mhill Shkëmbi feston 66 vjetorin e lindjes. Interesant është fakti se ka filluar të merret me arbitrimin në vitin e largët 1972 dhe vazhdon ende edhe sot në rolin e vëzhguesit.

Pa asnjë shkëputje, duke patur brenda kësaj periudhe edhe disa vite drejtim me shumë kompetencë të kolegjiumit të arbitrave të futbollit të Shkodrës.

Mhill Shkëmbi arbitrimin e ka filluar në vitin 1972, ndoshta rastësisht. Në një faqe muri në qendër të Shkodrës ishte vënë një njoftim i klubit Vllaznia për hapjen e një kursi arbitrash të futbollit dhe ai u bë shkak që Mhill Shkëmbi t’i futet arbitrimit.

Kontaktet e para i pati me Tahir Kalacin që ishte kryetar i kolegjiumit të Shkodrës në ato vite, që e drejtonte edhe këtë kurs bashkë me Kol Pogun. Kurs ky që zgjati 5-6 muaj dhe ishte kryesisht teorik por edhe praktik. Bashkë me Mhillin ishin edhe Leonard Prela, Faik Jera, Isuf Ujka, Ermal Vasili etj, dhe një pjesë e tyre u bënë arbitra. Ky është fillimi.

Ngjit shkallët një e nga një duke mbërritur në majën më të lartë, duke qenë për vite të tëra arbitër i kategorisë së parë, kryesisht në rolin e asistentit duke qenë gjithnjë në krah të emrave të tillë si Tahir Kalaci, Bakir Dibra, Adem Halili, Tefë Prela etj. Ndeshjet e arbitruara prej tij janë me qindra dhe vlerësimet janë përgjithësisht pozitive.

Vazhdon arbitrimin deri në fillimin e viteve ’90 dhe më pas, nuk largohet por vazhdon karrierën si vëzhgues i FSHF-së, detyrë që vazhdon ta bëjë edhe sot. Ndërkohë, drejtimi i kolegjiumit të Shkodrës për shumë vite me rradhë, duke e ngritur atë në një nivel të lartë, është edhe një tjetër arritje e tij.

Mhill Shkëmbi njëkohësisht njihet edhe si një analist shumë i mirë sportiv teksa është i pranishëm shpeshherë në studiot sportive të Shkodrës duke dhënë mendime me shumë vlerë. Po ashtu, është krijuesi dhe themeluesi i çmimit kombëtar “Luigj Shala” për arbitrat e futbollit, çmim që e ka fituar edhe vetë, ashtu siç është nderuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër në vitin 2017 edhe me titullin e lartë “Loro Boriçi”.

Gazeta “Shkodra Sport” me rastin e ditëlindjes së tij i uron shëndet dhe të vazhdojë misionin e tij fisnik të propagandimit dhe evidentimit të figurave të arbitimit shkodran dhe atij shqiptar.
Gjergj KOLA