Atletika shkodrane në vite ka nxjerrë nga rradhët e saj shumë sportistë të cilët kanë lënë gjurmë me përfaqësimin e tyre. Në periudha të ndryshme, në gara të ndryshme, kuptohet që ka patur gjithnjë kampionë dhe rekordmenë.

Njëri prej tyre është edhe Rasim Kraja, i cili përveçse ka patur një karrierë të suksesshme si sportist, ka punuar për vite të tëra edhe si trajner, krahas emrave të tillë si Hysni Bebeziqi, Asim Mujaxhi, Angjelina Gurakuqi, Enver Dervishi, Syrri Hoti, Gëzim Mema, Kujtim Rrjolli, Vildan Tufi, Rrok Hila, Llesh Vuksani etj.

Sa i takon karrierës si sportist, Rasim Kraja ka qenë një atleti i shkëlqyer, kampioni dhe rekordmeni i garave të sprintit në vitet ’60, teksa ka konkurruar në 100 m, 200 m dhe në stafetën 4×100 m.

Ka arritur të shpallet dy herë kampion kombëtar, ka thyer dy herë rekordet kombëtare gjatë viteve të karrierës së tij 1962-1970. Njëkohësisht për disa vite me rradhë ka qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar.

I përket një brezi të shkëlqyer sportistësh të klubit Vllaznia por edhe të kombëtares shqiptare të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti.

Rasim Kraja ka lindur në Shkodër në vitin 1942 dhe me atletikë nis të merret herët dhe me kalimin e viteve do të profilizohej në garat e shpejtësisë. Trajneri i tij Feti Dizdari duke parë aftësitë e këtij sprinteri i ka dhënë shumë besim dhe ai ia ka shpërblyer.

Mbahet mend si një nga sprinterët më të mirë të Shqipërisë për ato vite kur ka zhvilluar karrierën e tij teksa i ka bërë 100 metrat për 10″7.

Ka konkurruar edhe në 200 m si dhe në stafetën 4 x 100 m përkrah emrave të tillë si Vildan Tufi, Enver Dervishi, Bozho Hajko etj. E po ashtu edhe në kombëtare përkrah Bashkim Paçramit, Tomi Stefanllarit dhe Anastas Bunecit.

Pas lënies së sportit, Rasimi për disa vite ka ushtruar edhe detyrën e trajnerit pranë Klubit Vllaznia. Nga duart e tij ka nisur karrierën një nga atletet më të mira të vendit, Arbana Xhani. Në familjen Kraja nuk ka patur vetëm një kampion pasi bashkëshortja e tij ka qenë edhe ajo vetë një kampione e atletikës, Mimoza Meta (Kraja).

Rasim Kraja është ndarë nga jeta më 16 korrik 2017, në moshën 75 vjeçare, por duke lënë pas një emër dhe një karrierë të suksesshme, e cila e bën atë të evidentohet si një atletët më të mirë në historinë e atletikës shkodrane.
Gjergj KOLA