Eridon Qardaku nuk është vetëm një “makineri” golash. Futbollisti 18-vjeçar nuk njeh kufij dhe masë në futboll, pasi dëshiron ta shtyjë veten gjithmonë e më larg. Pavarësisht moshës relativisht të re, ai ka “vrapuar” me sprint të jashtëzakonshëm në karrierë. 17 gola të realizuar në 17 ndeshje kampionati me 19-vjeçarët janë prova që një ditë futbolli jonë do të krenohet me një “snajper” të pamëshirshëm.

Në një intervistë ekskluzive për “Newsport”, Qardaku rrëfen fazat graduale të formimit si lojtar, rekordet e çmendura për gola, dhe urinë e pashuar për të fituar gjithmonë çdo gjë. Por në mënyrë paradoksale, ai nuk figuron të jetë “ushtar” më i besuar i Kombëtares. Vetë djaloshi pranon se është thirrur me ekipet zinxhir të Shqipërisë në raste sporadike, asnjëherë për ndeshje kompetitive.

Krenar, ambicioz dhe me karakter të vendosur, puna dhe rezultatet do t’i bindin të gjithë një ditë për vlerat që ai zotëron si lojtar.

-Më tregoni pak për fillimet tuaja si futbollist, cilët ju kanë stërvitur, çfarë pozicioni natyral luani, etj.?
E kam nisur me ekipin privat “Shkodra” ku jam stërvitur për 4 vjet. Në atë kohë jam stërvitur nga trajnerët Taip dhe Rudi Piraniqi. Pastaj kam kaluar te Akademia e Vllaznisë. Këtu kam 4 vite që luaj dhe jam stërvitur me trajnerë shumë profesionistë: Astrit Premçin, Elis Legatan, Haris Likën, Altin Xhahysën dhe me të fundit Luan Zmijani dhe Gjon Kola.

Pozicioni im nuk është i përcaktuar saktë, sepse kam provuar të luaj në shumë role. Megjithatë, preferoj rolin e sulmuesit të majtë dhe trekuartistin (mesfushor i avancuar).

-Edhe pse jeni ende shumë i ri, keni të dhëna premtuese për t’u bërë lojtar i zoti. A ju kanë pikasur ndonjë ekip shqiptar dhe të huaj? Keni marrë ndonjë ofertë prej tyre?
Po, kam patur oferta nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

-Konkretisht, cilat skuadra kanë trokitur në derën tuaj?
Nuk dua të përmend emra. Është në dorën e menaxherit të komunikojë me ta.

-Kush ua ka vendosur nofkën ‘El Pistolero’?
Këtë punën  e nofkës, nuk e mbaj mend se kush e ka vendosur. Kalojmë te pyetja tjetër (qesh).

-Më bëri përshtypje që keni realizuar 17 gola në 17 ndeshje kampionati me grupmoshën 19-vjeç këtë sezon. Nëse e kujtoni saktësisht apo me hamendësim, sa gola keni shënuar që kur keni hedhur hapat e para në futboll?

Kam shënuar këtë vit 17 gola në 17 ndeshje, vetëm në kampionat (Kategoria Superiore U19, grupi A). Në Kupën e Shqipërisë kam shënuar një gol në një takim dhe në Champions League-ën e të rinjve kam realizuar 1 gol në 2 takime, gjithsej 19 gola në 20 ndeshje. Në karrierë kam shënuar shumë. Vitin e kaluar realizova 11 gola në 13 ndeshje. Fatkeqësisht pësova një dëmtim. Kurse në kampionatet për moshat 13 dhe 15 vjeç (U13 dhe U15) minimalisht kam realizuar 30 gola për çdo sezon.

-Të flasim për karrierën me ekipet zinxhir të Shqipërisë. Jeni grumbulluar rregullisht me ta?
Jo, çuditërisht mund të them që çdo vit kam qenë protagonist me gola dhe asiste, por jam grumbulluar vetëm një herë më Shqipërinë U19 dhe 2 herë me Shqipërinë U20. Edhe në këto raste kanë qenë grumbullime seleksionuese. Për takime zyrtare nuk jam thirrur asnjëherë. Gjithësesi, do të punoj çdo ditë e më tepër që të arrij pikësynimet e mia, pastaj e kanë në dorë të tjerët. Unë jam i gatshëm të përfaqësoj kombin tim në çdo moment.

-Kalojmë te pjesa e futbollit tonë. Nuk diskutohet që dëshironi që një ditë dëshiroan të luash me skuadrën e parë të Vllaznisë. A do të dëshironit  të fitoni një trofe me ta, të shënoni arritje të mëdha? Duke parë që Partizani dhe Tirana apo Kukësi janë më të fuqishme financiarisht do të pranonit të luanit për ta?
Të them të drejtën, tani jam në një moshë që kam hyrë në fazën e të qenit lojtar profesionist. Dëshira ime e madhe është të përfaqësoj qytetin tim. Kam pritur për shumë kohë një ftesë nga Vllaznia, e cila ende nuk më ka ardhur. Do të pres përsëri edhe pak dhe nëse nuk do të vijë, sigurisht që do të shikoj të ardhmen time. E theksoj, para Vllaznisë nuk vendos askënd.

-Cilët nga lojtarët e njohur shqiptar dhe yje të huaj adhuroni?
Nga lojtarët e huaj të famshëm idhull kam Cristiano Ronaldon, sepse ka natyrën time, që kërkon të fitojë çdo gjë dhe i arrin të gjitha me punë dhe vullnet. Ndërsa për sa i përket stilit të lojës, më pëlqen shumë Memphis Depay.

-Për kë skuadër të madhe në Europë bën tifo? Kë kombëare mbështet?
Jam tifoz i çmendur i Manchester United. Për kombëtare mbështes Brazilin.

-Trajneri i Shqipërisë U20 Ilir Biturku nuk ju grumbulloi këtë herë. A ke një mendim përse ju kanë neglizhuar vazhdimisht? Mos ndoshta preferohen si zgjedhje e parë lojtarë që militojnë në kampionatë huaja? Ndoshta nuk ju njohin mjaftueshëm? A keni kontaktuar me të? Si ju është përgjigjur?
Di të them vetëm që jam treguar i gatshëm gjithmonë të luaj për Shqipërinë, madje kam sakrifikuar edhe kur kam qenë i dëmtuar vetëm të aktivizohem me Kombëtaren. Nuk i vë faj askujt nëse nuk jam vlerësuar për të qenë pjesë e Shqipërisë. Do të vazhdoj të punoj shumë dhe të shënojë sa më tepër gola. Puna është çelësi kryesor i çdo gjëje. Të tjerat do të vijnë, ndoshta do të vonojnë, por të do të vijnë patjetër.

-Çfarë do të donit të arrinit në karrierën tuaj: të vendosnit rekorde për gola, të krijonit emër të madh, të fitoni sa më shumë trofe?
Kam dëshirë të fitoj gjithçka. Edhe nëse do të fitoja diçka të madhe, do të synoj diçka akoma më të madhe. Kështu mund të them se do të doja të arrija më tepër çdo ditë.

-Kujt ia dedikoni golat që shënoni?
Së pari, ia dedikoj Zotit, së dyti familjes sime. /newsport/