Kush ka qenë përgjegjësi kryesor për dështimin e ri të Barcelonës në Champions? Kësaj pyetje i kanë dhënë përgjigje lexuesit përmes një sondazhi të madh të zhvilluar, duke e kthjelluar disi edhe presidentin Bartomeu në planifikimin e tij sportiv.

Lexuesit e “MARCA.com” e kanë shpërndarë fajin dhe përgjegjësinë te lojtarët, më shumë se te trajneri Valverde. 34% e tifozëve (lexuesve) mendojnë se lojtarët janë kryesisht përgjegjës për dështimin e radhës në Champions, ndërsa 31% kanë evidentuar si shkak kombinimin e lojtarëve, trajnerit dhe drejtorëve. Në fund, me 27%, votohet si përgjegjës trajneri Ernesto Valverde.

Referuar katastrofës së Barcelonës në “Anfield”, nga 23 lojtarët, që përbëjnë grupin e skuadrës katalanase në këtë sezon, vetëm 15 prej tyre duhet të qëndrojnë. Tetë të tjerë duhet të largohen nga klubi këtë verë, sipas sondazhit në fjalë. Nga lojtarët, të cilët e kanë fituar të drejtën (e tifozëve) për të vazhduar në “Camp Nou” janë: Ter Stegen, Cillessen, Semedo, Pique, LENGLET, Jordi Alba, Sergi Roberto, Rakitic, Busquets, Arthur, Alena, Arturo Vidal, Luis Suarez, Messi dhe Dembele.

Në fakt, Dembele dhe Rakitic janë dy lojtarët (në bazë të përqindjes që kanë marrë nga votuesit), që qëndrojnë në kufirin e hollë mes atyre që duhet të largohen dhe të qëndrojnë. Tetë lojtarët që duhet të largohen, sipas lexuesve të “MARCA.com”, nuk janë shumë surprizë, por të parashikueshëm: Todibo, Murillo, Umtiti, Vermaelen, Coutinho, Rafinha, Boateng dhe Malcom.

Bëhet fjalë për futbollistë që kanë pasur pak minuta aktivizim në sezonin që po përfundon. Pra, tifozët mendojnë se cilësia e tyre nuk është e mjaftueshme për të qenë pjesë e Barçës. Edhe Coutinho, që u ble për më shumë se 120 milionë euro, nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Paraqitja e tij ka qenë shumë më e dobët se sa pritej.

Pas katastrofës në “Anfield”, shumë nga kritikat, për të mos thënë pothuajse të gjitha, patën një drejtim, nga stoli; më konkretisht nga Ernesto Valverde. Deri në tetë candidate, përfshirë edhe vetë Valverde, iu sugjeruan për votim lexuesve, se cili duhet të jetë trajner i skuadrës katalanase: Xavi, Ten Hag, Setién, Koeman, Roberto Martínez, Klopp apo ndonjë tjetër. Tifozët duan që Xavi të jetë trajneri i ardhshëm i Barcelonës, me 26%.

Për Jurgen Klopp votuan 22% e lexuesve, ndërsa për Ten Hag 14%. Për lexuesit e “MARCA.com” është e qartë. 70% e tyre mendojnë se Ernesto Valverde nuk duhet të jetë më në stolin e Barcelonës, sezonin e ardhshëm. Sa i përket kapitullit të përforcimeve për sezonin e ardhshëm, tifozët shohin të sigurt vetëm portën me Ter Stegen dhe Cillessen. 83% e votuesve mendojnë se ky repart nuk ka nevojë për ndërhyrje. Përtej portës, si mbrojtja, mesfusha dhe sulmi kanë marrë rreth 80% të votave për t’u përforcuar./telesport/