Kuqeblutë kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e rradhës për kampionat, atë që do të luajë pas dy ditësh në Shkodër ndaj Erzenit. Vetë klubi i Vllaznisë përmes faqes së tij zyrtare ka bërë të ditur edhe për detaje që kanë të bëjnë me këtë sfidë teksa mësohet se do të ketë edhe një mungesë në formacion.

Bëhet fjalë për atë të Zogajt që ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë. Po ashtu, mësohet se në përfundim të ndeshjes do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të kupës si ekip kampion i grupit A.

Ja çfarë shkruhet në faqen e klubit:

“Të shtunën ekipin i Vllaznisë do të zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës së tretë të kampionatit, atë ndaj Erzenit. Takimi do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 16.00 dhe sigurisht që skuadra jonë do të kërkojë ta mbyllë me fitore këtë fazë.

Stafi teknik nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin- sulmuesi Silvio Zogaj i cili është i penalizuar me kartona ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve është e gatshme. Në përfundim të ndeshjes, FSHF do të zhvillojë edhe ceremoninë e dorëzimit të kupës për ekipin tonë si kampion i Grupit A për këtë sezon. Prandaj ju ftojmë të jeni të pranishëm në stadium ditën e shtunë”.