Gjeografia e ekipeve të spikatura në futbollin e moshave në Shkodër çdo vit e më shumë po zgjerohen. Tashmë triumfues nuk janë vetëm ekipet e Akademisë Vllaznia, asaj Shkodra e ndonjë tjetër.

Në edicionin e fundit, tek grupmosha U11 ekipi më i spikatur ka rezultuar ai me emrin “Arra e Madhe”. Ky kampionat nuk ka patur pikëzim megjithatë, ekipi në fjalë është evidentuar për fitoret e shumta dhe për më tepër për sulmin më të mirë me 85 gola të shënuar.

Trajneri i këtij ekipi Angjelin Simoni në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet: “Shumë kënaqësi të marrësh kupën si ekipi më i mirë i kampionatit. Kam një falenderim të madh për prindërit e fëmijëve që ne na besojnë për formimin e tyre si sportistë.

Po ashtu, një falenderim i veçantë shkon për profesor Armandon që punon orë të tëra me këto fëmijë dhe bën më të mirën e tij për t’iu transmetuar fëmijëve pasionin për futbollin. Natyrisht që në këtë moshë nuk kanë shumë rëndësi sukseset, por e rëndësishme është që fëmijët të kënaqen dhe kjo është diçka shumë e bukur.

Një falenderim i veçantë shkon edhe për Pader Dedën i cili i ka dhënë një mbështetje të madhe këtij ekipi, me pak karburant, me 3-4 topa, me 5-6 kostume sportive etj. Ai është njeriu që ka shumë dëshirë, vullnte dhe pasion për futbollin. Çdo gjë e bën vetëm për këta fëmijë, vetëm që ata të jenë të kënaqur, të edukohen dhe të dalin në jetë njëlloj si njerëzit më të mirë të këtij vendi”
© shkodrasport.com