Një ditë më parë shoqata e basketbollit të Vllaznisë përmes një njoftimi bënte të ditur se periudha e testimit të lojtarëve ka përfunduar dhe me lojtarët që nuk kanë qenë në stërvitje me ekipin këtë periudhë, nuk do të ketë negociata.

Njëri prej basketbollistëve shkodranë për të cilin është thënë se do të afrohet pranë Vllaznisë është edhe Daniel Lekndreaj I cili sezonin e fundit ka luajtur me Partizanin. Megjithatë, vetë lojtari në një prononcim për “Shkodra Sport” ka bërë të ditur se askush nga Vllaznia nuk e ka kontaktuar.

“Deri më tani nuk kam patur asnjë bisedë me ndonjë nga pjestarët e Vllaznisë. Ndërkohë kam patur bisedime me ekipe të tjera por për momentin jam i përkushtuar tek stërvitja për ekipin kombëtar”- ka thënë ai fillimisht.

I pyetur ndërkohë se drejtuesit e Vllaznisë u kanë bërë ftesë të gjithë shkodranëve që luajnë me ekipet e tjera për t’u rikthyer sërish tek kjo skuadër, Daniel Lekndreaj përgjigjet: “Normalisht që dera është e hapur për shkodranët tek Vllaznia, por unë në fakt nuk kam patur asnjë bisedime deri tash me presidentin Xhaferi”.

Më pas, duke e ngacmuar nëse ka dëshirë të rikthehet tek Vllaznia, ai përgjigjet: “T’ia lëmë kohës”.

Daniel Lekndreaj ndërkohë gjatë prononcimit të tij ka folur edhe për ofertat e tjera, duke nisur nga ajo e Partizanit, skuadër me të cilën luajti sezonin e kaluar. “Deri tani nuk ka asgjë konkrete, ndonëse jam në bisedime me disa skuadra por për momentin nuk mund të jap asnjë emër.

Shumë shpejt do të mësoni çdo gjë. Sa i takon Partizanit, kontrata me të ka përfunduar dhe drejtuesit e tij më kanë kërkuar të rinovoj, por unë u kam kërkuar pak kohë sa të përfundoj ndeshjet me kombëtaren”.
© shkodrasport.com