Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Mërgim Mavraj, po përgatitet që të kalojë një tjetër verë shumë të nxehtë sa i përket të ardhmes së tij, duke vazhduar fatkeqësisht trendin e ndryshimit të vazhdueshëm të klubeve.

Verën e kaluar ai u largua nga Hamburgu drejt Aris të Selanikut, ndërsa në janar kaloi nga grekët te Ingolshtad në Gjermani.

Në teori, pasi Ingolshtad ra nga Bundesliga 2, Mavraj do të vihet në kërkim të një klubi tjetër, edhe pse ka kontratë edhe për edicionin e ardhshëm me skuadrën që merr pjesë në kategorinë e tretë gjermane. Mavraj ka pohuar se është gati të bëjë lëvizjen e radhës dhe ka informuar menaxherin e tij që t’i gjejë një sistemim tjetër.

Por kështu nuk e mendon Ingolshtad, që gjithsesi është në zotërim të kartonit të cilin e bleu nga Aris. Sipas mediave gjermane, drejtori sportiv Mikael Hanke, ka shpjeguar se klubi dëshiron të mbajë kapitenin e përfaqësueses shqiptare.

Ata duan të shfrytëzojnë eksperiencën e tij për të kthyer Ingolshtad sa më shpejt përsëri në Bundesligën 2, duke e përfshirë mes pak veteranëve që do të “mbijetojnë”, pasi projekti parashikon shumë lojtarë të rinj në moshë.

Sigurisht kjo nuk përputhem me dëshirën e Mavrajt i cili nuk ka si synim që vitet e fundit të karrierës t’i kalojë në kategoritë e ulëta gjermane, ku me siguri do të humbiste edhe përfaqësuesen shqiptare.

Ndaj pritet të jetë një verë e nxehtë me kërkimin e një klubi të ri të gatshëm jo vetëm për të pritur krahëhapur mbrojtësin, pro edhe për të paguar kartonin e tij. /vipsport/