Ngjitja e Vllaznisë në Superligë ka qenë një detyrë shtëpie për t’u kryer nga skuadra shkodrane dhe në fakt, ajo nuk e ka vënë në dyshim asnjëherë këtë gjë. I këtij mendimi është gazetari I njohur sportiv Namik Mehmeti, I cili prej vitesh jeton në Itali, megjithatë gjithmonë mendjen e ka tek Vllaznia.

“Për mua një ecuri e tillë e Vllaznisë në kampionatin e kategorisë së parë, ka qenë mëse e pritshme sepse me emrin, përbërjen dhe mbështetjen që kishte, nuk do ta diskutonte ngjitjen në Superligë, pavarësisht ndonjë oshilacioni që pati me ndërrimin e trajnerëve apo të ndonjë problemi tjetër”- ka thene ai.

Nga ana tjetër, I pyetur për sezonin e ardhshëm, Mehmeti për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Pyetja që i bëj vetes shpesh është se Vllaznia po hyn në Superligë, por a do të jetë në gjendje t’i rezistojë. Kam njëfarë dyshimi se skuadra nuk është ende në formatin e asaj që duhet të jetë.

Ndoshta është shpejt për të dhanë një mendim të tillë dhe koha do ta tregojë këtë gjë, por me atë formacion që Vllaznia ka patur në sezonin e kaluar, nuk mund të shpresojë shumë. Po nuk mori lojtarë të tjerë, do ta ketë të vështirë. Në rradhë të parë duhet të rikthejë disa nga shkodranët që luajnë në ekipet e tjera dhe madje janë dhe golashënues.

Bashkia duhet të shpenzojë në këtë drejtim për të rikthyer këto lojtarë por edhe për të blerë të tjerë. Dje lexova një artikull ku shkruhej se Bashkia Shkodër do të jetë në mbështetje të Vllaznisë dhe do të bëjnë sëbashku gjëra të mira. Unë kam dëshirën dhe besimin se kjo mund të realizohet, por duhet shumë kujdes sepse kampionati është i gjatë.

Të mos harrojmë se janë 10 skuadra që marrin pjesë sërish në kampionat dhe 2 prej tyre bien nga Superliga dhe prandaj çdo gjë duhet filluar mbarë dhe jo të mendojmë se do t’i korigjojmë gabimet në fazën e dytë”.

Vllaznia në fakt ende nuk ka nisur nga puna por drejtuesit e saj janë në lëvizje. Ato kanë marrë garancinë nga Bashkia Shkodër dhe shumë shpejt pritet të konkretizohen edhe lëvizjet e para.
© shkodrasport.com