Besëlidhja është ende pa trajner. Që pas largimit të Vladimir Gjonit, pankina ka mbetur bosh. Në klub prej kohësh janë hedhur në kërkim të pasardhësit të tij e megjithatë ende nuk kanë “goditur”. Kur dihet që lezhjanët hyjnë në të 12-in sezon radhazi në Kategorinë e Parë, drejtuesit po kërkojnë dikë që të përmbushë objektivin madhor.

Duke e ditur se konkurrenca për t’u ngjitur në elitë është mjaft e ashpër, kërkohet një ekspert në stol. Dhe në qarqet futbollistike lezhjane, këto ditë qarkullojnë zëra se ai post do të jetë i Elvis Plorit.

I pyetur nga “Panorama Sport”, shkodrani saktëson se nuk ka folur me asnjë nga drejtuesit, por e lë lë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi. Ai do të ishte i gatshëm me një kusht, nëse ndërtohet një ekip për t’u ngjitur në elitë. “Sezonin 2018- 2019 e mbylla te Burreli dhe me mbarimin e kampionatit i përfundova llogaritë atje. Tani jam pushim, por në kontakt të vazhdueshëm me klube të ndryshme, pasi kam marrë mjaft oferta. Megjithatë, unë kam objektivat e mia.

Bëhet fjalë për ato skuadra që kanë mundësitë dhe kërkojnë ngjitjen në elitë. Duke iu referuar asaj që përmenda më lart, unë jam i hapur për ekipe që kanë ambicie reale për ngjitjen në Superiore, ndaj të tilla oferta ulem dhe i diskutoj. Ndërsa për sa i përket Besëlidhjes, ajo është një skuadër që ka luftuar shumë këto vite për t’u ngjitur, por nuk ia ka dalë, ndonëse e ka udhëhequr Kategorinë e Parë. Mendoj se është një skuadër që i shërben elitës, sepse ka vite që u mungon lezhjanëve. Kështu, duhet punuar që historia e Besëlidhjes në nivelin inferior të marrë fund.

Unë nuk kam pasur deri tani kontakte as me presidentin e Besëlidhjes dhe me asnjë drejtues tjetër. Nëse drejtuesit e saj edhe për sezonin e ri kanë ambicie reale për ngjitje, unë ulem e bisedoj, duke ofruar programin dhe mendimin tim. Nëse këto përputhen, unë dakordësohem për ta drejtuar atë ekip. Jam i hapur për çdo mendim e sugjerim, por njëkohësisht edhe duke vlerësuar qëllimet e mia, pasi nuk dua që të dështoj”, mbylli prononcimin e tij trajneri shkodran, Elvis Plori. Duhet thënë që edhe merkatoja e axhenda për fazën përgatitore kanë mbetur “peng” e trajnerit të ri.