Te Vllaznia po pritet që të nisë sezoni i ri. Stafi i klubit me sa duket nuk po ngurron që të bëjë afrimet e tjera për të kompletuar skuadrën, pavarësisht se ende nuk e ka zgjidhur çështjen e numrit një të pankinës. Në drejtim të teknikut Agim Canaj që mbylli sezonin e shkuar, nga sa mësohet, nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete për këtë sezon.

gilman lika

Drejtuesit thonë se për teknikun ka ende kohë. Më parë ata po kërkojnë që të bëjnë skuadrën dhe më pas teknikun e skuadrës. Disi e pakuptimtë, por që nuk po i pengon drejtuesit për të kontaktuar dhe për këtë kërkuar që të mbyllin punë me lojtarët që kanë piketuar.

TITULLARËT

Por ashtu si me teknikun Canaj, duket se e njëjta situatë është edhe me titullarët që mbyllën sezonin e shkuar. Dy prej tyre, madje kanë mbajtur peshën kryesore prej vitesh si te Vllaznia e po ashtu edhe tek ekipet e tjera me shumë emër. Bëhet fjalë për dyshen Gilman Lika e Olsi Gocaj.

vllaznia

Sapo përfundoi sezoni që shkoi, të dy lojtarëve u përfundoi kontrata. Nga sa u mësua, fillimisht për të dy lojtarët u përfol se do të ulen në bisedime për të filluar punën për sezonin e ri. Mirëpo deri në këto momente, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ende nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e klubit. Jam në pritje të ofertës së klubit dhe më pas do të shikoj për vazhdimësinë. Dëshira është të vijoj punën te Vllaznia, pavarësisht se nuk më kanë munguar ofertat,” u shpreh shkurtas Lika, që dëshirën s’e ka fshehur në asnjë moment për të vazhduar punën me Vllazninë.

Në drejtim të Gocajt po vijnë oferta nga ekipe të ndryshme si në Kategorinë Superiore atë të Parë, por edhe jashtë saj. Edhe ai si Gocaj do të presë më parë atë që do të ngjasë me kuqeblutë. “Kam oferta konkrete, por më parë dua që të pres atë që do të bëjë Vllaznia. Deri tani nga klubi nuk kam asnjë kontakt konkret”, u shpreh Gocaj.

Me sa duket, dyshja që i qëndroi besnike klubit edhe në momentet më të vështira të tij presin normalisht edhe respektin e klubit, por jo vetëm. Lojtarët kanë ende për të dhënë. Edhe lojtarë të tillë si Antonio Marku dhe Erlind Selimaj janë në pritje të ofertës nga Vllaznia.