(Shkëputur nga libri: “Djemtë e Apolonisë”, një histori për futbollin fierak, i autorit Kristaq Shtëmbari, ish përgjegjës i ekipit fierak në vitet 80-të)

E nisëm rrugën për në Shkodër së bashku me ekipin e veteranëve të futbollit të Apolonisë. Rruga kaloi e gëzueshme dhe me plot humor.

Në bazë të llogaritjeve që kanë bërë trajnerët ne duhet të fitojmë këtë ndeshje. Rivalitet kishte midis dy ekipeve, Apolonia dhe Vllaznia që kishin pikë të barabarta, por me golavarazh më të mirë ishin ne. Stadjumi, si gjithmonë në ndeshjet e viteve të fundit midis këtyre dy ekipeve, ishte i mbushur me sportdashës, të cilët kishin ardhur për të parë spektakël sportiv, protagoniste e të cilit do të ishte Apolonia. Loja filloi e zjarrtë.

Shkodranët goditën portën tonë qysh në minutat e para, pastaj aksioni i fierakëve me një krosim të bukur të Bitës për tek Majaci, i cili godet fort, por jashtë. Sulmi ynë sillte shqetësime të pandërprera vendasve. Tifozeria e zjarrtë shkodrane dukej si një llavë që bëhej e papaërmbajtshme dhe kërcënuese. Pamë që anësori Petrit Brahja, e sinjalizoi gjyqtarin kryesor Bujar Pregja, i cili e ndërpreu lojën menjëherë.

Pas pak, gjithashtu pamë që kryesori Pregja nxorri kartonin e kuq për Majacin. Ekipi ynë reagoi për këtë masë arbitrare dhe të nxituar. U konsultuam në bankinë dhe në vendngjarje shkova unë për të larguar Kujtimin nga fusha e lojës, megjithëse i tërë ekipi e kundërshtoi këtë masë duke e quajtur të padrejtë. Tifozeria na fërshëllyen, megjithëse ne të dy u drejtuam me nxitim drejt dhomavve të zhveshjes, kaluam para tribunës qëndrore duke ecur me vetëdije të pafajshëm dhe të qetë.

Tek dera e dhomës së zhveshjes erdhi një polic i shoqëruar nga një i dytë dhe po na rrinin si karakoll.

Majaci! vishuni shpejt dhe ejani me ne pa mbaruar ndeshja! Ky është urdhëri i eprorëve tanë. Mos na vono!

Mezi munda ti shkëpusë një përgjigje të fragmentizuar që deshte të thoshte se Majaci, me ecjen, qëndrimin e tij dhe me mbajtjen e duarve në mbathje, kur shkoi para tribunës, kishte “fyer” zotat, që shikonin ndeshjen nga tribuna. E kundërshtova policin se Majaci doli nga fusha i qetë. Për këtë faj të rëndë, më tha polici me ton inkuizitori, sportisti i njohur i Apolonisë, do të shkonte në degën e punëve të brendshme, derisa të vendosnin eprorët për të.

Kundërshtuam të dy me Kujtimin, por ishte e kotë se atje në holl, pashë një palë sy të një pushtetari që e njihja, që me vështronte me një shikim mbretëror, I cili u largua sapo unë dhe Majaci dolëm nga porta e madhe e stadIumit, tani jo me dy por me tre policë. Sapo mbaroi ndeshja, të gjithë me autobus shkuam me një frymë në zyrat e degës. Aty qëndruam.

Ishte dita e 1 Majit dhe në degë nuk dodhej asnjë nga zyrtarët e lartë. Edhe e nesërmja ishte ditë pushimi. Ne thamë nuk largohemi nga Shkodra pa e marrë Majacin me vete. Pa të nuk kemi ku të vemi. Oficeri i rojës, një burrë ushtarak me një trup të bëshëm, na u përgjigj ftohtë.

–Pse, çkërkoni të bëni, demostratë sot ditën e shënuar të 1 Majit. Kërkoni ti kundërviheni ligjeve të pushtetit popullor? Ikni me të mirë dhe lëreni Majacin në dorën tonë.

Gjatë kësaj kohe Majaci mbahej i burgosur. Nuk kishin ç’të bënim. U nisëm të mërzitur. E pabesueshmja kishte ndodhur. Ecnim sikur të na kishin hequr njërin sy, njërën mushkri, një këmbë apo një dorë. Autobuzi më dukej si një ambient Dantesk, ku s’ndihej asgjë përveç frymëmarrjes. Në kokë më vërtiteshin mendime të turbullta. Ata që e morrën këtë masë a menduan se Majaci ka familje, ka prindër që e presin të shqetësuar?! Çfarë t’ju themi këtyre njerëzve.

S’kisha dëgjuar ndonjëherë që një sportist, një njeri krejt i pafajshëm të mbahej I burgosur, pse dikujt ju duk se para tribunës ai eci me duar të kryqëzuara. Kujtim Majaci provoi një natë burgu të pafajshëm dhe të pamerituar. Jehona e këtij akti pushtoi gjithë opinionin sportiv të Fierit dhe më gjerë. Ai iu nënshtrua seancave gjyqësore dhe mori pafajësinë’’.

Ndërkohë që shumë vitë më vonë, në një intervistë dhënë gazetës Intervista në vitin 1996, pyetjes së gazetarit se, cili ka qenë momenti juaj më i trishtuar në karrierën tuaj sportive, Kujtim Majaci ju referua, pikërish këtyre dy shembujve të mësipërm, duke thënë se: Ishin ndeshjet me Besën e Kavajës, kur u shkul gjithë Fieri dhe u dënuan tifozët e pafajshëm, vetëm sepse kishin veshur këmishë si e imja. Në atë sezon FSHF-ja na hoqi 6 pikë. Kujtoj me dhimbje edhe ndeshjen me Vllazninë e Shkodrës, kur në tribunë ishte edhe Muho Asllani, anëtar i Byrosë politike të Komitetit Qendror të PPSH-së.

Veprimi im ishte se me bluzë fshiva djersët përpara Muho Asllanit. Ja kjo ishte fyerja. Dhe për këtë më dënuan, duke më përjashtuar për 6 muaj nga veprimtaria sportive.