Situata që po kalon Napoli në këtë periudhë ka bërë që të fillojë të vihet në dyshim edhe një emër si Karlo Ançeloti. Presidenti Aurelio De Laurentis vazhdon të jetë i bindur se tekniku italian ka gjithçka duhet për të kthyer skuadrën në rrugën e duhur në luftën për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Por nëse rezultatet nuk ndryshojnë shpejt, për Napolin do të bëhet e pamundur të shkurtojë diferencën që ka me skuadrat para, ndaj kanë filluar të qarkullojnë zërat edhe për një ndryshim të mundshëm në pankinë.

Sipas mediave napolitane, në rast shkarkimi të Ançelotit, nuk do të afrohej një trajner afatgjatë, por një emër i cili të drejtonte skuadrën deri në mbyllje të këtij edicioni, për të gjetur më pas timonierin e ri në verë dhe për t’i besuar atij projektin e ri, meqë në ekip do të bëhen shumë spastrime.

Sipas “napolicvalciolive”, emri i parë që u shkon në mendje napolitanëve është ai i Edi Rejas, i cili ka lidhje të ngushta si me presidentin, ashtu edhe me tifozerinë e klubit dhe të gjithë do të ishin dakord që të ulej në pankinë deri në fund të sezonit të tranzicionit.

Alternativa të tjera janë edhe Zdenek Zeman e Xhenaro Gatuzo, por me këtë të fundit që shihet si opsion edhe për të ardhmen afatgjatë të klubit. /vipsport/