Interi sot rikthehet në fushë, në “Ferraris”, për të sfiduar Xhenoan, me objektivin e qartë të rikthimit te fitorja pas dy barazimesh radhazi të regjistruara me Romën dhe Fiorentinën. Për këto dhe shumë të tjera ka folur Antonio Konte, në intervistën përpara ndeshjes për “Inter TV”, duke u nisur nga epilogu i çuditshëm i sezonit i impostuar nga pandemia.

“Me siguri është një eksperiencë ndryshe krahasuar me të kaluarën, edhe pse po luajmë në temperatura të larta dhe është e pashmangshme që kalendari është kompresuar në mënyrë që ky kampionat të përfundohej. Është një eksperiencë e re që urojmë të mos përsëritet”.

Xhenoa e ka entuziazmin në maksimum pas fitoreve kundër Leçes dhe në derbi.
Përtej shqetësimeve për kundërshtarin, mendoj se duhet të shohim në shtëpinë tonë për të përfunduar në mënyrën më të mirë sezonin. E kemi studiuar Xhenoan në kohën e paktë që kemi pasur në gatishmëri, kam menduar sërish rrotacion, sepse kur luan çdo dy ditë, shpenzon shumë energji. E rëndësishme është të fokusohemi tek ajo që mund të bëjmë, gjithmonë duke respektuar kundërshtarin.

Do të mungojnë Barela i skualifikuar dhe i dëmtuari De Vraj.
Jam i detyruar të mendoj disa ndryshime, alternimi i futbollistëve është i pashmangshëm, sepse lodhja do të ndihet. E shoh edhe në stërvitje që ritmi është më i ulët. Kështu është për të gjithë, ngarkesat e stërvitjeve për momentin janë qesharake: së bashku me stafin duhet të kujdesemi të mos krijojmë ngarkesa fizike dhe psikologjike, përveç përgatitjes taktike të ndeshjes.

Thatë që Eriksen po bën një punë të madhe për t’u përshtatur: në ndeshjen e fundit kuptuat që po rezulton gjithmonë e më vendimtar?

Nuk pëlqej të flas për individët. Mendoj se Kristiani zhvilloi një ndeshje pozitive ndaj Fiorentinës, mbi të gjitha në pjesën e parë. Tashmë është përshtatur, po përpiqet të japë më të mirën dhe ne duam ta vendosim në qendër të lojës. Në fazën pa top ka lirinë e lëvizjes pas sulmuesve dhe marrjes së topit: mund të bëjë ashtu siç dëshiron.

Pas Xhenoas luani me Napolin dhe Atalantën, më pas nis Liga e Europës. Çfarë ndeshjesh prisni?
Mendoj që së pari ka disa ndryshime, sepse ne do të luajmë më 8 gusht ndërsa të tjerët më 10 dhe do të kenë më shumë kohë për të rikuperuar lojtarët.

Xhenoa ka balancën e duhur mes të rinjve dhe lojtarëve ekspertë: ju ka befasuar në këtë periudhë të fundit?
Nikola është një trajner i zoti, i përshtatur shumë mirë me ambientin e Xhenoas, jam i lumtur për të. Njëkohësisht, mendoj se klubi ka dashur të shtojë eksperiencën në janar.

Po luftojnë për të mos rënë nga kategoria, ndërsa ne shkojmë në fushën e tyre për të vazhduar procesin tonë të rritjes dhe për të përfunduar sezonin në mënyrën më të mirë. Ambicia jonë është të marrim tri pikët.