“Është me të vërtetë një arritje e madhe ajo çfarë kemi bërë në këta gjashtë muajt e fundit. Duke nisur nga trajneri dhe deri te lojtari më i mirë, të gjithë meritojnë vetëm fjalët më të mira”, lavdëroi presidenti Herbert Hainer skuadrën e tij pas fitimit të Superkupës që zgjati plot 120 minuta.

“E gjithë kjo gjë meriton respekt për këdo që ishte prezent në fushë. Kemi luajtur një futboll të bukur dhe kemi marrë rezultate fantastike në një kohë jo të mirë për njerizimin”, tha 66-vjeçari. Me suksesin ndaj Sevijes, Bajerni shënoi fitoren e 23-të radhazi, një ecuri e tillë nuk është parë ende nga asnjë skuadër në pesë ligat kryesore të Europës.

Bavarezët kanë kaluar kështu edhe rekordin e mbajtur nga Reali i Madridit në kohën kur drejtohej nga Karlo Ançeloti. Golavarazhi është gjithashtu në favor të Bajernit, me 78 gola të shënuar dhe vetëm 16 të pësuar. Loja e gjermanëve ka qenë perfekte në aspektin sulmues dhe atë mbrojtës. Flik ka ditur të ndërtojë një skuadër të balancuar dhe njëkohësisht të egër.

“Mentaliteti i skuadrës është i pabesueshëm, trajneri ka rikthyer harmoninë dhe si rrjedhojë rezultatet kanë qenë të shkëlqyera, – vazhdon Hainer.

– Sigurisht që nuk do të ndalemi me kaq, është vetëm fillimi i një epoke të suksesshme që shpresojmë të zgjasë sa më shumë vite”. Kujtojmë që mesatarja e fitimit të një trofeu nën drejtimin e Hansi Flikut është çdo 9.5 ndeshje. Askush nuk ka bërë më mirë se ai.