Barcelona vitet e fundit po has vështirësi në prodhimin e yjeve nga akademia. Është një proces që ka ndodhur çdokund në histori, kur një skuadër ka mbyllur një cikël të madh suksesesh. Barça mund të themi se mbylli këtë cikël dhe po punon për të ndërtuar një skuadër të re, ku i duhet të blejë pjesën më të madhe të skuadrës sepse talentet e nivelit të lartë mungojnë.

I vetmi përjashtim i madh është Ansu Fati. Adoleshenti nga Guinea ka të gjitha karakteristikat e mundshme për tu bërë një yll i madh. 17-vjeçari ka arritur të bëjë diferencën edhe mes yjeve të sulmit të Barçës dhe klubi e vlerëson në maksimum sulmuesin e majtë. Duke parë gjithë cilësitë e tij të mëdha, drejt Barçës kanë mbërritur vazhdimisht oferta stratosferike nga klube të ndryshme.

Disa javë më parë një klub i Premier Ligës ofroi 100 milionë euro për Fati. Ndërkohë, “Marca” zbulon se një ofertë tjetër për Barcelonën ka mbërritur nga pronari i Ulvërhempton dhe vetë agjenti i sulmuesit, Horge Mendesh.

Ky i fundit i është afruar shumë klauzolës së mëparshme të Fati prej 170 milionë eurosh. Propozimi i tij ishte 125 milionë euro në mënyrë të menjëhershme dhe 25 milionë të tjerë në formë bonusesh.