Te Vllaznia nuk është e thënë që të ketë qetësi, edhe pse prej tre muajsh është arritur një marrëveshje sponsorizimi mes Bashkisë së Shkodrës dhe biznesmenit Alban Xhaferi.

Në skenë tashmë ka dalë Këshilli Bashkiak i Shkodrës, që në mbledhjen e djeshme ka vendosur të miratojë hapjen e një gjyqi ndaj vendimeve që ka marrë kryebashkiakja Voltana Ademi dhe administratori Suad Lici për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të klubit të futbollit Vllaznia.

“Lufta” bëhet për 5 emra, të cilët klubi i ka regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 22 korrik 2020. Por çfarë ka ndodhur më konkretisht dhe pse të premten Këshilli Bashkiak mori këtë vendim, ku me 33 vota pro, vetëm një kundër dhe një abstenim, u hapi rrugën procedurave gjyqësore kundër kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, si dhe administratorit të klubit, Suad Lici…

NDRYSHIMI

Më 29 maj 2020, Këshilli Bashkiak i Shkodrës që është njëkohësisht edhe asambleja e Vllaznisë, zgjodhi pas votimit pesë anëtarë të këshillit mbikëqyrës ose e thënë ndryshe të bordit të klubit kuqeblu.

Emra si ish-lojtari i shquar shkodran Hysen Zmijani e gjithashtu Myzafer Bushi, Fatjon Nurja, Agron Okaj dhe Gledis Çeliku morën më tepër vota dhe u zgjodhën anëtarë të këshillit mbikëqyrës. Mirëpo, pas këtij  vendimi, klubi i Vllaznisë nuk ka depozituar në QKB emrat e pesë anëtarëve të zgjedhur me votë.

Kësisoj, në dokumentin që ka siguruar “Panorama Sport”, rezulton se anëtarët e këshillit mbikëqyrës të regjistruar në QKB janë Astrit Hafizi, Ramazan Rragami, Lazër Matija, Shpëtim Quku dhe Benjamin Naku, me një mandat 3-vjeçar që nis nga 22 korriku 2020. Kësisoj, dërgimi në QKB i pesë emrave të tjerë ka bërë që Këshilli Bashkiak të padisë drejtuesit e klubit.

VENDIMI

Në shkresën e Këshillit Bashkiak që disponon gazeta, me firmën e kryetares së komisionit të kontrollit financiar, Jona Leqejza, ndër të tjera shkruhet:

Fillimin e procedurave gjyqësore kundër vendimeve të kryetares së Bashkisë Shkodër për ‘Miratimin e pasqyrave financiare të vitit 2018 të klubit të futbollit Vllaznia sh.a’, ‘Për zëvendësim dhe emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës, si dhe kundër mosverprimit të administratorit të klubit të futbollit Vllaznia, i cili nuk ka depozituar pranë QKB-së aktet e ligjshme të marra nga Këshilli Bashkiak, në cilësinë e asamblesë së përgjithshme të KF Vllaznia sh.a”.

Tashmë do të vendosë gjykata nëse të drejtën për të zëvendësuar dhe emëruar anëtarët e bordit të klubit e ka Këshilli Bashkiak apo kryebashkiakja Voltana Ademi. Një “pingpong” që mbetet për t’u parë se sa do të ndikojë në zhvillimet brenda klubit. Jo më larg se katër muaj më parë, përplasjet në bashki detyruan skuadrën të bojkotonte stërvitjen për shkak të zvarritjes së çështjes së rrogave.