Mesfushori ganez Kevin Prince Boateng rikthehet për herë të pestë në kampionatin italian, por këtë herë për të luajtur në Serinë B, pasi ka firmosur për një sezon me Monzën, skuadër që ka për pronar Silvio Berlusconin dhe Administrator Adriano Gallianin.

Ishin pikërisht këta të dy që besuan te ganezi dhe e transferuan te Milani në verën e 2010-ës, ndërsa atë herë fantazisti qëndroi për plot 3 sezone te kuqezinjtë dhe luajti 101 ndeshje, duke shënuar edhe 18 gola.

Më pas Boateng u transferua në kampionatin gjerman për të qëndruar dy sezone te Schalke 04 dhe në verën e 2015-ës u rikthye sërish te Milani, por këtë herë qëndroi vetëm një sezon dhe u transferua drejt kampionatit spanjoll.

Fantazisti 33-vjeçar luajti gjysmën e parë të sezonit 2018-2019 me Sassuolon dhe gjysmën e parë të sezonit 2019-2020 me Fiorentinën, pasi në janar të këtij viti u huazua te turqit e Besiktas, ku luajti 11 ndeshje dhe shënoi 3 gola.

Tani Kevin Prince Boateng ka firmosur për një sezon me Monzën, një skuadër e mbushur me elementë të rinj të talentuar dhe që synon ngjitjen në Serinë A, ndaj ganezi do të jetë një vlerë e shtuar me eksperiencën e shumtë mbi supe.