Mungon vetëm zyrtarizimi! Sulmuesi me origjinë shqiptare, Andi Zeqiri ka bërë hapin e madh në karrierë, teksa ka arritur akordin me klubin e Brajton që militon në Premier Ligë. 21-vjeçari, i cili ishte pjesë e skuadrës së Lozanës, kaloi me sukses vizitat mjekësore, teksa pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Për transferimin e Zeqirit, klubi anglez shpenzoi plot 4 milionë euro, teksa për shqiptarin e lindur në Zvicër u interesuan edhe shumë klube të tjera Europiane. Mediat zvicerane zbulojnë se Zeqiri për momentin nuk do të bashkohet me ekipin e parë të Brajton.

Sipas gazetarit Andi Najlor, Brajton fillimisht po planifikon ta transferojë shqiptarin te skuadra e 23-vjeccarëve për t’u përshtatur plotësisht, teksa në janar, nëse gjërat shkojnë mirë, shqiptari do të jetë nën urdhrat e trajnerit të parë.

Kujtojmë që Zeqiri ka luajtur me të gjithë ekipet e moshave të Përfaqësueses zvicerane, që nga U15 dhe deri te U21.

Gjithsesi në verë sulmuesi vendosi të përfaqësojë Kosovën dhe drejtuesit e FFK-së po i përgatisin dokumentacionin për ta pasur në dispozicion për ndeshjet e muajit tetor nda Maqedonisë së Veriut.