Futbolli shqiptar ka hyrë në javën e katërt të bojkotit. Liga Profesioniste përshkallëzoi protestën një ditë më parë me futbollistë të akademive dhe paralajmëroi se do të ketë protesta të tjera që do të zbulohen në ditët në vijim. Klubet shqiptare duken të vendosur.

Të paktën edhe këtë javë vështirë të luhet futboll. Por kjo situatë përmban edhe rrezikun e vet për sezonin në vijim. Në mesin e tetorit janë ndeshjet e kombëtareve dhe nëse kërkesat ekononmike të klubeve plotësohen, kampionati do të niste pas 15 tetorit.

Gjithashtu, në nëntor përsëri ka ndërprerje si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve dhe kalendari do të ngjeshej së tepërmi, pa harruar ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, që me siguri këtë sezon do të zgjidhet një formulë tjetër me më pak sfida.

FSHF do të jetë e detyruar të ndjekë modelin anglez. Detyrimi i përfundimit të sezonit brenda muajit maj, shtrëngon federatën të organizojë ndeshje edhe në periudhën e pushimeve në fund të dhjetorit, Krishtlindje apo festat e ndërrimit të viteve.

Por edhe në këtë rast ka një problem, sepse shumë stadiume rëndohen nga shirat dhe degradojnë pasi do të luhet më shpesh, shto edhe faktin tjetër që mund të ketë reshje dëbore apo ngrica.

Plani më ekstrem i këtij sezoni është bojkoti, vetëm e vetëm që të arrihet miratimi nga qeveria i katër kërkesave për ndryshimet në ligj. Kjo e fundit pak gjasa ka të ndodhë, sepse do të kishte pasoja të rënda nga UEFA, si për klubet, ashtu edhe për vetë FSHF-në.