Paraqitja pozitive ndaj Xhenoas në fundjavë e ka shpërblyer Elseid Hysajn duke u përfshirë në “Formacionin më të mirë të javës” në Serinë A. Kapiteni i Shqipërisë u përfshi nga faqja sportive “Who Scored” në 11-shen të lojtarëve që spikatën më shumë në ndalesën e fundit të kampionatit italian. Futbollisti i Napolit asistoi golin e pestë të ndeshjes me Xhenoan, që u shënua nga Elif Elmas (sfida përfundoi 6-0 për Napolin).

Hysaj është vlerësuar me notën 7.9 nga uebsajti në fjalë dhe është pozicionuar në krahun e majtë të mbrojtjes, ku po bën mjaft mirë me Gatuzon, edhe pse pozicioni natyral është në të djathtë.

Përveç kësaj, Napoli dominon “Formacionin e Javës” në Serinë A me 5 lojtarë: Dris Mertens, Irving Lozano, Kalidu Kulibali, Xhovani Di Lorenzon dhe Elseid Hysajn.

Për çudi, Kristiano Ronaldo nuk është vendosur në formacionin e kësaj jave, edhe pse shënoi dopietë ndaj Romës duke i dhënë 1 pikë të rëndësishme Juventusit.

Megjithëse nën drejtimin e trajnerit Xhenaro Gatuzo, Hysaj po bën mjaft mirë, Napoli nuk po arrin ta bindë lojtarin për të rinovuar kontratën. Nga kjo situatë po tenton të përfitojë Spartak Moska, e cila ka paraqitur një ofertë prej 7 milionë eurosh për të blerë kartonin e mbrojtësit shqiptar.