Bayerni i Mynihut triumfon në finalen e Superkupës së Gjermanisë ndaj Borussias së Dortmundit me rezultatin 3-2, duke fituar trofeun e pestë pas Bundesligës, Kupës së Gjermanisë, Champions League dhe Superkupës së Europës.

Ndeshja mirë për të besuarit e Hansi Flick, që gjetën golin e avantazhit në minutën e 18-të me Toliso, teksa 14 minuta më vonë Thomas Muller shënoi të dytin.

Megjithatë Dortmundi i mblodhi forcat dhe arriti të barazojë, ku si fillim shënoi Bradt në minutën e 39-të, ndërsa në minutën e 55-të shënoi i zakonshmi Herling Haland.

Megjithatë kur të gjithë po mendonin për shtesat, nuk ishte i këtij mendimi Kimish.

Ky i fundit rrëmben një top në mesfushë dhe niset menjëherë në sulm, teksa pas një pasimi të dhënë, topi i kthehet sërish në këmbë dhe me ndihmën e fatit ia del ta dërgojë topin në rrjetë.

Një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet për 94 minuta, por si gjithmonë në fund fiton Bayerni, duke seleksionuar trofeun e pestë nën drejtimin e Hansi Flick, teksa i duhet edhe Botërori i Klubeve për të plotësuar sezonin perfekt.