Armando Broja është surpriza e madhe e Eredivise sivjet dhe si i tillë ai ka merituar vëmendjen e medieve dhe të drejtuesve të Viteshes gjithashtu. Sulmuesi la ekipin e të rinjve të Çelsit verën e shkuar dhe iu bashkua klubit holandez, ku ka arritur të tregojë një nivel shumë të lartë dhe të jetë vendimtar për sukseset e ekipit, ku kujtojmë se javën e shkuar shënoi një dopietë ndaj Den Hag dhe i dha triumfin Viteshes në ndeshjen e parë si titullar.

Në një artikull të “Gelderlander” për Brojën flet edhe drejtori teknik i Viteshes, Johanes Spors. Ai tregon se sulmuesi është një lojtar, që mund të arrijë shumë në karrierë dhe zbulon edhe tratativat e bëra për të huazuar atë nga Çelsi.

RIKTHIM TE ÇELSI?- “Broja është një lojtar shumë i mirë. Ai është transferuar nga të rinjtë në ekipin e parë vjet, madje bëri debutimin në Premier League (më 8 mars ndaj Everton). Ai ka potencialin dhe ambicie shumë të madhe për t’u kthyer te Çelsi sërish”.

TRATATIVAT- “Nuk e lamë të na ikte nga duart, e morëm atë. Çelsi në të vërtetë dëshironte që ai të merrte eksperiencë në ekipin U21 edhe një vit tjetër. Duhet të flisja me të gjithë në Londër dhe pastaj me vetë Brojën. Fluturova në Angli dhe shkova në shtëpinë e tij. Fola me nënën e Armandos dhe pastaj me të. Transferimi në Holandë është me të vërtetë një hap i madh për të.”

CILËSITË- “Shikoni cilësitë e tij. Ai është i gjatë (191 centimetra), është i shpejtë, ka teknike të mrekullueshme dhe gjithashtu ka instikt vrasës para porte. Ai i plotëson të gjithë kërkesat për një sulmues të nivelit të lartë. Këtë ai mund ta tregojë shumë mirë në Eredivise. Një muaj më parë vështirë se e njihte kush, tani e njohin dhe i drejtohet fushës ndryshe. A mund të shënojë ai çdo javë gola në një nivel të lartë? Deri më tani jemi shumë të lumtur, thjesht të vazhdojmë kështu”, përfundon drejtori sportiv i Viteshes.

Në fund në lidhje me formën e tij të deritasnishme flet edhe Broja. Si gjithmonë sulmuesi nuk ka shumë fjalë, por me aq sa thotë, tregon se është i përqëndruar për të siguruar vazhdimësinë dhe rruga për të ky mision kalon nga ndeshja me PSV këtë fundjavë.

“Kam shënuar 30 gola vitin e kaluar, por ai ishte futboll i të rinjve. Tani jetoj vetëm, në një vend tjetër dhe me gjuhë tjetër. Në fushë më duhet të merrem me djem të fortë. Më pëlqejnë golat ë shënuar kundër Den Hag, por ajo ndeshje ka kaluar. PSV po vjen dhe kjo do të jetë një ndeshje e vështirë. Eredevise nuk është një kampionat i lehtë. Jam shumë i lumtur për besimin e trajnerit”, mbyll sulmuesi i kombëtares. /vipsport/