Fillimi i sezonit më shumë se një muaj e gjysmë me vonesë për shkak të bojkotit ka bërë që kampionati të shohë ngjeshje të datave.

Por sipas Shefit të Sektorit të Garave në FSHF, Marius Sulejmani, kjo situatë nuk rrezikohet, pasi në ndryshim nga vitet e tjera, për të përballuar situatën e krijuar, do të eliminohet pushimi gjatë muajit janar kur skuadrat zhvillonin mini-fazë përgatitore për pjesën e dytë të edicionit.

“Në lidhje me ngjeshjen mendoj se nuk është se do të kemi ngjeshje pasi ne kemi planifikuar që muajin janar ta përdorim për kampionatin në vazhdim. Do e përdorim që të mos ketë ngjeshje ne mesjavë, mendojmë se mund të ketë 2 ose 3 ngjeshje në mesjava gjatë gjithë sezonit”, tha ai për RTSH.

Ndërkohë, në rast ndalese të të gjithë aktiviteteve në vend për shkak të COVID, ai u shpreh se atëherë mund të vendoset ngjeshja e sa më shumë ndeshjeve në një kohë të shkurtër. Por FSHF duket optimiste se një gjë e tillë nuk do të ndodhë e përveç të tjerave, kërkon kthimin e tifozëve në stadiume.

“Fillimisht mendojmë të mos kemi ndalesë por të rikthehemi në ndeshjet normale dhe me tifozë. FSHF ka dërguar shkresë për kthimin e tifozëve minimalisht në 30% të kapacitetit të stadiumeve. Pastaj Plani B është që të ketë ndeshje në mesjavë”, deklaroi Sulejmani. /vipsport/