Marrin fund të gjitha dilemat për Thomas Strakoshën. Pas më shumë se një jave në izolim, duke menduar se mund të jetë me COVID-19, portieri i përfaqësueses shqiptare është rishfaqur përsëri në stërvitje me klubin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Torinos.

Strakosha, ashtu si disa lojtarë të tjerë, kishin shfaqur simptoma virozash dhe meqë në klub kishte pasur lojtarë dhe personel të infektuar me COVID-19, ai dhe disa shokë të tij u izoluan menjëherë nga pjesa tjetër e ekipit.

Sikur të mos mjaftonte kjo, për portierin shqiptar dhe disa prej futbollistëve, tamponët rezultuan “jo konkluziv”, duke i detyrar që t’i nënshtroheshin testimeve për herë të dytë.

Rezultatet e këtij testi fatmirësisht kanë nxjerrë lojtarët nga karantina që u kishin imponuar pasi kanë dalë negativë dhe sot në stërvitje për Lacion janë parë disa nga të izoluarit si Strakosha, Luiz Felipe, Patrik, Leiva, Kataladi apo Imobile, lojtarë të cilët kishin munguar për dy duelet e fundit në kampionat dhe Champions.

Si rrjedhojë, Strakosha është gati pasi mendohet se ka kaluar vetëm një virozë të stinës, ashtu si të gjithë të tjerët, ndërsa pritet që të kthehet përsëri në katërkëndorin e Lacios, ku në ndeshjet e fundit titullar ka qenë Pepe Reina. /vipsport/