Barcelona kohët e fundit po kalon një situatë të vështirë në të gjitha anët. Së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe kandidatët kanë nisur të shpallin projektet e tyre për të rikthyer klubin te sukseset.

Viktor Font, një nga kandidatët kryesorë për të triumfuar deklaroi para pak ditësh se rikthimi i legjendave të klubit është në prioritetet e tij.

Në listën e biznesmenit të njohur spanjoll është edhe Pep Guardiola, trajneri më i suksesshëm në historinë e Barcelonës, por që aktualisht po jeton i lumtur mes parave dhe garancisë së sheikëve te Mançester Siti.

Natyrisht deklarata e Font do të ngjallte kureshtjen e gazetarëve anglezë dhe këta të fundit kanë pyetur Guardiolën për një rikthim të mundshëm te Barça.

Tekniku spanjoll edhe njëherë e nxjerr klubin e tij të zemrës jashtë planeve për të ardhmen dhe prish disi edhe fushatën e Viktor Font për president. “E kam thënë shumë herë se periudha ime si trajner te Barcelona ka mbaruar.

Është e kryer. Jam trajneri i Mançester Sitit dhe jam jashtëzakonisht i lumtur këtu. Kam ende dëshirë të bëj mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh Guardiola. /vipsport/