Kanë mjaftuar pak muaj që Bernard Shaland të kthehet nga hero në i padëshiruar për tifozerinë e Kosovës. Një situatë e paprecedent që është përkeqësuar me humbjen e sotme 2-1 të “Dardanëve” kundër Shqipërisë, në vëllazëroren e luajtur në Elbasan.

Menjëherë pas disfatës, rrjetet sociale janë mbushur me komente kundër trajnerit të Kosovës, duke kërkuar largimin e tij.

Shqetësimi më i madh për tifozët e “Dardanëve” nuk është mungesa e rezultateve, por e lojës, pasi ekipi ka lënë shumë për të dëshiruar në sfidat e fundit dhe është parë rrallëherë loja ofensive që pritet prej ekipit.

Një nga adresat më të njohura dhe të ndjekura në Tëitter për futbollin kosovar, Kosovan Football, ka kërkuar largimin e teknikut, e mbështetur nga shumë tifozë të cilët kanë dale kundër trajnerit zvcieran, i cili mungoi në ndeshjen e sotme pasi është në karantinë nga COVID-19.

“FFK duhet të shkarkojë Bernard Shaland dhe të gjithë stafin e tij teknik duke afruar dikë tjetër në kohë që të njihet me ekipin para kualifikuseve të marsit. Ai na solli këtu, i jemi mirënjohës, por tani ne duhet të ecim para në një nivel më të lartë”, shkruhej në këtë adresë duke përçuar mendimin e shumë mbështetësve të “Dardanëve”.

Kosova nuk njeh fitore prej 9 ndeshjesh radhazi, ndërsa ka regjistruar 7 humbje e 2 barazime gjatë kësaj periudhe. /vipsport/