Vllaznia kryeson me pikë të plota Kategorinë Suepriore dhe kjo ka bërë që në Shkodër të kthehet një entuziazëm që ka munguar prej kohësh për skuadrën e futbollit.

Elvis Plori, krahu i djathtë i trajnerit Tomas Brdariç te kuqeblutë, nuk ngurron ta krahasojë me vitet kur kjo skuadër luftonte për titullin kampion, siç tregoi ai në “Rubrika Sportive”.

“Në Shkodër ka entuziazëm, ka 10 vite që nuk jam në Shkodër dhe pas këtij rikthimi dukej atmosfera si dikur kur shpallej Vllaznia kampione. Ka një frymë që edhe ky riorganizimi ka bërë të rritet përgjegjësia për të gjithë, deri te punëtorët e stadiumit.

Është vërejtur edhe ardhja e sposnorit, se ka ndikuar gjatë këtyre viteve. Duket se është lodhur qytetari i Shkodrës që Vllaznia rrezikon. Nëse bashkëpunimi vazhdon të jetë i mirë, mendoj se do të bëjë mirë.

Polemikat në drejtim? Nuk është pjesë që te ne ka ndikuar shumë, se forma është ruajtur. Janë probleme që pak a shumë i kemi ditur. Janë probleme se problemi i “unit” nuk është se ka vlerë në këtë moment. Rëndësi ka që skuadra të shkojë mirë dhe këto rezultate i heqin të gjitha.

Në Shkodër thonë “nëse nusja me dhëndërrin shkojnë mirë, edhe vjehrra bëhet e mirë”. Nëse na ecin rezultatet mirë, edhe te ne gjithçka do të shkojë mirë”, tha Plori. /vipsport/