Vllaznia kryeson Kategorinë Superiore me 3 fitore në 3 javët e para të kampionatit. Shkodranët fituan ndaj Tiranës në minutat e fundit duke marshuar në krye të Superligës.

I ftuar në emisionin “Fair Play” nga gazetarja Enkeleida Zeko në Syri TV, Rudi Vata, ish-lojtari i Kombëtares, shkodrani Rudi Vata u shpreh se Vllaznia është për titull kampion.

“Është një Vllazni e mirëorganizuar, më mirë se disa skuadra të kampionatit shqiptar. Po punohet me seriozitet dhe është përqendruar te grupi, jo më si më përpara kur kishte individë cilësorë, por nuk kishte skuadër kompakte. Me ardhjen e sponsorit të ri dhe të trajnerit Brdaric, ka ndryshuar tërësisht Vllaznia.

Mendoj se Vllaznia nuk është marrë në konsideratë nga kundërshtarët. E shohin si një Vllazni pa ambicie dhe duke mos patur presionin e rezultateve, ka gjetur ekuilibrin e duhur.

Trajneri është i uritur, është serioz në punën që bën dhe mbështetja e sponsorit Xhaferri i ka shërbyer. Është një skuadër e organizuar, por ka edhe defekte. Ka fituar tre ndeshje, është në krye dhe duke arritur këtë stabilitet, skuadra vetëm mund të rritet.

Vllaznia është pretendente. E shoh mjaft komode, ku s’do të luftojë më për mbijetesën, por për Kupat e Evropës. Nëse vazhdon me këtë ritëm, mos të ketë “Kalin e Trojës”, që ekziston në ambientin e Shkodrës, apo një Hamza, pasi ka njerëz negativë që mundohen të prishin punët e mira, ekipi do të ecë si duhet. E shoh një Vllazni kompakte, ku mbështetja e klubit ka qenë perfekte”, deklaroi shkodrani Rudi Vata./newsport/