Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, ka dalë nga akademia e Vllaznisë, është rritur në Shkodër, por tashmë ka detyrën që të bëjë profesionistin përballë skuadrës së qytetit të tij. Në kulmin e karrierës me Teutën, shkodrani po luan sezonin e dytë me blutë, ndërsa kjo javë do ta vendosë përballë së shkuarës dhe origjinës së tij.

Hebaj në prononcimin e tij për “Panorama Sport” tregon se është profesionist dhe se ekipi i tij do të luajë për të siguruar fitoren, pavarësisht se nuk e mohon që i vjen mirë për pozitat që kanë kuqeblutë në tabelën e klasifikimit.

Çfarë nuk shkoi ndaj Kukësit dhe a keni ndonjë peng nga dy barazimet në shtëpi?

Unë mendoj që kemi pasur raste të pastra shënimi, sidomos pjesën e parë. E kishim përgatitur ndeshjen, nuk shënuam, por nuk do qahemi. Kur kërkon që të ushtrosh presing pranë zonës së kundërshtarit dhe ai vendos të luajë poshtë edhe mund të gabosh.

E radhës ndaj Vllaznisë, e kishit menduar që ekipi i vendlindjes do të vinte në Durrës si kryesues pas 3 javëve të para?

Realisht, këtë sezon Vllaznia ka bërë një start të mirë. Janë forcuar shumë. Edhe mund ta prisja diçka të tillë, por them që është ende herët për të folur në këtë aspekt pasi ka edhe shumë ndeshje…

Çfarë ndeshjeje parashikoni dhe a është ky momenti për fitoren e parë në Durrës?

Të arrijmë rezultat pozitiv, të fitojmë ndeshjen! Normalisht do jetë ndeshje e vështirë, por do e analizojmë me kujdes së bashku me stafin. Njëkohësisht, duhet edhe që t’i japim kurajë dhe mbështetje njëri-tjetrit dhe stafit për të arritur objektivin dhe për të fituar ndeshjen.

Sipas jush, Vllaznia a do të jetë rivale e Teutës deri në fund për vendet e para apo mendoni se ju e keni garën për trofe me të tjera klube?

Duke parë ecurinë që kanë bërë, pse jo? Mirëpo dua të them se për momentin jemi të fokusuar te vetja jonë dhe duam që të rikthehemi sa më shpejt te fitorja. Për titullin dhe për objektiva, ka ende kohë pasi është fusha ajo që do të tregojë gjithçka.


Kush nga lojtarët e Vllaznisë që keni mik ju ka ngacmuar më tepër përpara kësaj sfide?

(Qesh…) Unë në Shkodër kam shumë miq dhe shokë. Deri tani s’kam pasur kontakte apo ngacmime me asnjë.

Me sa gola do të ishit i kënaqur ta mbyllnit këtë sezon?

Përkohësisht dua të fitojmë. Kam synim ekipin dhe që të marrim maksimumin në çdo ndeshje, më pas do mendoj për rekordin tim personal. Nuk dua të flas para kohe. Rëndësi ka të shënoj sa më shumë dhe të arrijmë objektivat.