Vllaznia luan sot në transfertë ndaj Teutës, teksa shkodranët shpresojnë të vazhdojnë ecurinë perfekte në kampionat edhe ndaj durrsakëve. Për këtë sfidë ka folur Ardit Krymi, i cili thekson se në këtë sezon te Vllaznia është futur një frymë e re, ndërsa shtoi se Hebaj, shkodrani i Teutës, golat do t’i shënojë pas kësaj ndeshje.

Fitorja ndaj Tiranës- “Ishte shumë e bukur ajo ndaj Tiranës dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë djemtë, sepse dhanë maksimumin deri në minutën e 97-të. Festa me Tiranën ka përfunduar që atë natë dhe tashmë jemi të fokusuar maksimalisht tek sfida e radhës me Teutën”.

Kalendari i ngjeshur- “Normalisht që me stërvitjen që kemi bërë mund t’i përballojmë tri ndeshje në javë, por kuptohet që duhet të ruajmë forcat dhe shpresoj të dalim sa më mirë”.

Vllaznia, e bashkuar- “Sivjet mendoj se grupi është më i bashkuar, ka hyrë një frymë e re tek Vllaznia dhe kjo shihet që në hapat e parë të ketij sezoni. Duke qenë të bashkuar nga lart deri te punëtori i fushës, jam i bindur se do të ecim përpara”.

Mesazhi për tifozët- “U them që të kenë vetëm besim, të na japin sa më shumë mbështetje dhe mendoj se nuk do t’i zhgënjejmë.”

Vlerësim për Teutën- “Ne kemi respekt për Teutën, por do të hyjmë në fushë për të bërë lojën tonë siç e kemi bërë këto tri ndeshje dhe mendoj se do të dalim mirë”.

Martini dhe Hebaj, kundërshtarë- “Për profesor Edin kam shumë respekt, i uroj gjithë të mirar, por pas ndeshjes sonë. Futbolli i parashikon tri rezultate, por e rëndësishme është të mos dalim pa pikë nga Durresi. Hebaj? është lojtar i mirë, por Rubini do t’i shënojë golat pas ndeshjes me Vllazninë”, u shpreh Krymi. /VipSport/