Kategoria Superiore sot mbyll javën e katërt të kampionatit, javë e cila ka rëndësi të veçantë për disa skuadra. Bojkotimi i gjatë që i bënë startit të kampionatit ka sjellë ngjeshjen e kalendarit, ku dihet se në kuadrin e tetë ditëve (e shtunë – e mërkurë – e diel) skuadrat do të luajnë tri ndeshje.

Çdo javë e kampionatit ka rëndësinë dhe specifikën e saj për të 10 klubet e Superiores. Kjo javë e katërt ka karakter zgjimi për pjesën dërrmuese të skuadrave. Kemi katër ekipe, Laçi, Kukësi, Bylisi dhe Apolonia, që akoma nuk e kanë provuar shijen e fitores, kështu që shpresojnë sot të zgjohen dhe ta realizojnë këtë objektiv.

Kukësi e ka si detyrim që të zgjohet me çdo kusht, pasi këtë mesazh dhanë dje edhe drejtuesit e klubit verilindor. Edhe Laçi dëshiron të zgjohet, por duke ditur që të dyja ekipet do të ndeshen me njëra-tjetrën, i bie që njëri të mos e këtë shans ose të dyja do të vijojnë dremitjen duke u pajtuar me barazimin.

Javë zgjimi konsiderohet edhe për Tiranën, pasi dihet se kampionët në fuqi kanë ndryshuar trajnerin dhe pas dështimit në debutim tekniku Nevil Dede do të kërkojë trepikëshin e parë. Kështu që, zgjimi bëhet edhe më i vështirë për Bylisin në këtë javë, duke ditur se luajnë në kryeqytet ndaj Tiranës që kërkon të bëjë kthesën e madhe

Apolonia pret në shtëpi Partizanin, i cili para disa ditësh e eliminoi në Kupë. Sa i përket zgjimit në këtë takim, fierakët duan fitoren e parë, ndërsa trajneri Daja shpreson që sulmuesit e tij të mos jenë të përgjumur në këtë sfidë, në mënyrë që të gjejnë rrugën e rrjetës.