Në përballjen me Bylisin, Vllaznia iu “fal” mbrojtësit kryeqytetas, Eni Imami, i cili me golin që shënoi në minutën e 51-të i dha skuadrës shkodrane tri pikë me shumë vlerë. Heroi i suksesit të Vllaznisë, në intervistën edhe dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” nuk e ka fshehur gëzimin që i dha goli, dhe për më tepër që pati vlerën e fitores për ekipin.

Ai ka besim që Vllaznia do të vijojë në këtë mënyrë edhe në ndeshjen e radhës ndaj Kastriotit. Imami ka sqaruar edhe paktin që kanë bërë me kryebashkiaken Ademi për rrogat e vonuara.

Imami, patët tri mundësi radhazi, por u desh e treta e vërteta që të shënonit. A e kishit menduar se do ta gjenit golin ndaj Bylisit?

Para ndeshjes ma kishte ndjellë edhe Adili këtë gol të shënuar. Nuk e di, por kisha bindjen që pas dy mundësive të para të pritura nga portieri arrita të shënoj.

Adili ishte i fiksuar, pasi shpesh më pati thënë se do të shënoja gol ndaj Bylisit. Fatmirësisht e arrita. Sigurisht që jam i lumtur që shënova, por më shumë më gëzoi fakti se goli i dha fitoren ekipit. Tani shpresojmë që ta vazhdojmë kështu.

Kujt ia dedikoni këtë gol?

Këtë javë kemi patur disa probleme, pasi trajneri i portierëve Lekiqi humbi të atin, trajneri Brdariç dhe Arsid Kruja kanë qenë të sëmurë dhe kanë pasur temperaturë. Këtë gol dhe këtë fitore do t’ua dedikoj atyre, në mënyrë që sadopak t’u lehtësojmë problemet e tyre.

Duken tri pikë me shumë peshë?

Duke ditur që kundërshtari më i afërt, Partizani, u ndal një ditë para, tri pikët kishin rëndësi shumë të madhe. Fitorja na jep edhe më shumë besim pas asaj humbjeje që morëm ndaj Kukësit. Tani jemi më të qetë për ndeshjet e ardhshme.

Tërheqja në pjesën e dytë erdhi për të mbajtur rezultatin apo patët probleme fizike?

Duke qenë se ndeshjet janë shumë afër me njëra-tjetrën, kalendari nuk na lejon të jemi shumë lart në gjendjen fizike. Pavarësisht se kishim lodhje, nuk ishim në një gjendje që mund të thuhet… zero.

Thuhet se keni muaj pa marrë rrogat, sa mund të ndikojë kjo te vazhdimësia?

Sapo folëm me kryebashkiaken dhe na tha që në atë drejtim të rrimë të qetë. Por, kur je në fushën e lojës se ke mendjen atje, por për ta fituar takimin. Kur folëm me të morëm parasysh gjithçka.

Si e shikoni ndeshjen e radhës, ndaj Kastriotit?

Të gjitha skuadrat janë atyaty me njëra-tjetrën. Pas këtij trepikëshi do të kërkojmë të njëjtën gjë edhe në ndeshjen e radhës.