Nëse do të krahasonim ecurinë e skuadrave të Kategorisë Superiore pas 7 javësh në dy sezonet e fundit, do të vinim re ndryshime të mëdha. Nëse Bylisi aktualisht renditet në vendin e fundit me 4 pikë në këtë edicion, vjet ballshiotët kryesonin kampionatin me 12 pikë, duke dëshmuar qartë ndryshimin e madh në përbërjen e dy ekipeve. Përmirësim të dukshëm ka bërë Vllaznia.

Një vit më parë, shkodranët e drejtuar nga Mirsad Jonuz kishin 12 pikë, ndërsa këtë edicion kanë grumbulluar 16 pikë pas 7 ndeshjesh nën drejtimin e Tomas Brdariçit. Rënie ka pësuar dhe Teuta. Durrsakët renditeshin sezonin e kaluar në vendin e tretë me 12 pikë, ndërsa sot kanë 9 pikë dhe renditen në vendin e gjashtë.

Tirana e Nevil Dedes + Egbosë ka dy pikë më pak se ajo e Ardian Memës 9 pikë kundrejt 11).

Partizani thuajse është në të njëjtën kuotë pikësh në krahasim me vjet, por këtë sezon me Ilir Dajën ekipi renditet në vendin e tretë me 12 pikë, kurse vjet pas 7 xhirosh kishte 11 pikë dhe renditej i gjashti.

Kukësi i Skënder Gegës ka 3 pikë më shumë pas 7 takimesh se ekipi i Shpëtim Duros. Verilindorët pozicionohen aktualisht në vendin e dytë në kampionat duke marë 12 pikë të plota në 4 takimet e fundit, ndërsa vjet renditeshin të shtatët.

Kastrioti i Ramazan Ndreut ka bërë një paraqitje mjaft bindëse në këto 7 javë duke pësuar sot humbjen e parë me Vllazninë. Krutanët kanë grumbulluar 10 pikë në 7 takime.

Rënie të konsiderueshme ka pësuar Skënderbeu. Vjet me Dajën korçarët kishin 12 pikë dhe renditeshin të katërtit, ndërsa sivjet kanë vetëm 5 pikë dhe për më tepër ndodhen në zonën e “play-out” me teknikun Ahmataj, i cili ka në përbërje shumë lojtarë të rinj.

Laçi duket se nuk ka ndryshuar aspak pas 7 javësh në dy sezonet e fundit. Kurbinasit kanë 7 pikë njësoj si vjet pas 7 takimesh.

Sezoni 2019-2020 i Kategorisë Superiore pas 7 javësh

Sezoni 2020-2021 pas 7 javësh në Kategorinë Superiore