Bota e futbollit qan një tjetër kampion.Ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare pas një tumori në mushëri Paolo Rossi, heroi i Kupës së Botës 1982.

Rossi ishte njeriu që mori për dore Italinë në atë kompeticion për ta shpallur kampione Bote, duke shënuar edhe një tripletë historike kundër Brazilit.

Ish sulmuesi i Milanit dhe Juventusit dhe një ndër më të mëdhenjtë e futbollit italian, fitoi Topin  e Artë po në vitin 1982, raporton Ora News.

Paolo Rossi ka lindur 64 vjet më parë në Prato dhe kishte veshur fanellat e Juventus, Vicenza, Como, Perugia, Milan, Verona.

Ndeshja e tij më e rëndësishme është ajo e luajtur në Barcelonë gjatë Kupës së Botës Spanjë 1982, në ndeshjen vendimtare për gjysmëfinalet e kompeticionit, duke i shënuar plot 3 gola Brazilit që ishte superfavoriti për kohën. Më pas i shënon dy gola Polonisë dhe një Gjermanisë në finalen e Madhe.

Së bashku me Baggion dhe Vierin, Rossi mban rekordin e golave axurr në Botërore, plot 9.

Me Juventusin ka fituar 2 kampionate, një Kupë Kupësh, një Superkupë Europe dhe një Champions League, shkruan Ora News.

Pas futbollit ai ishte opinionist për Mediaset dhe Rai.

La bashkëshorten e tij Federica dhe tre fëmijët: Sofia Elena, Maria Vittoria dhe Alessandron.