Ecuria e mirë e Vllaznisë në këto javë të para ka ardhur për shumë arsye. Për ndryshimet në klub, për bashkëpunimin e mirë mes të gjitha palëve, për merkaton cilësore, për trajnerin e përzgjedhur e për disa gjëra të tjera. Ka qenë gazetari Fatjon Shehu që në “Rubrika Sportive” është ndaluar tek skuadra shkodrane duke e analizuar paraqitjen e saj në këto javë të para të kampionatit duke thënë:

“Tek Vllaznia për fat të mirë ka një binom bashkëpunimi, kanë Bashkinë dhe kanë sponsorin, prandaj në secilin moment është dikush që i gjendet pranë skuadrës. Nëse nuk do të ishte sponsori, ndoshta ajo do të ishte sërish në të njëjtat pozita siç ishte vjet.

Ajo që më pëlqen mua tek Vllaznia deri tani, është harmonia që ka shfaqur në fushën e lojës. Sigurisht që rezultatet pozitive janë ato që gjithmonë rrisin harmoninë, të bëjnë më të bashkuar, e po ashtu shoh një klub, që ndryshe nga hija e së shkuarës, me përçarje e shumë probleme, tashmë funksionon dhe kjo ndihmon në kompaktësinë edhe të ekipit në fushë.

Lista e afrimeve cilësore që ka bërë kjo skuadër, për mendimin tim duhet të nisë nga trajneri. Janë ofruar futbollistë cilësorë, por edhe një trajner që vërtetë nuk e njeh kampionatin shqiptar, mendoj se është përshtatur shumë mirë me realitetin këtu dhe po ashtu edhe me kërkesën se çfarë duan shkodranët dhe çfarë duan të arrijnë në këtë sezon.

Ky binom deri tani ka ecur mirë, por Vllaznia duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Kjo sepse ka dhënë edhe shenja euforie në momente të caktuara dhe për më tepër është një kampionat i gjatë dhe i paparashikueshëm nga problemet e shumta që ka futbolli shqiptar”. /SHKODRA-SPORT.COM/