Fitorja e djeshme e Vllaznisë ndaj Kastriotit i ka bërë për vete të gjithë. Për mënyrën si u arrit, për mënyrën si u mposht kundërshtari dhe për egon e karakterin që po shfaq kjo skuadër në fushën e lojës. Ajo që të bie në sy tek golat e shënuar, është se asnjëri prej tyre nuk ka ardhur rastësisht, nga ndonjë goditje standarte ose nga nga ndonjë aksion individual.

Mjafton t’u referohemi pamjeve filmike të këtyre tre golave dhe sheh qartë kryeveprën e ekipit shkodran. Të tre aksionet e golave të Vllaznisë, kanë nisur me topat e marrë nga kundërshtari. Kjo si rrjedhojë e presingut të bëra nga e gjithë skuadra dhe të tre topat janë marrë nga mesfushorët.

Në rastin e golit të parë dhe të dytë, ka qenë Jonuzi që ka marr topin dhe ka nisur kundërsulmin, ndërsa tek goli i tretë, ka qenë Krymi nga këmbët e të cilit ka nisur gjithçka.

Goli i Dungës- 4 pasime

Në rastin e golit të Dungës, është një top i marrë nga kundërshtari, fillimisht nga Jonuzi, i cili më pas e ka pasuar tek Krymi e ky ka kërkuar të pasojë menjëherë tek Imeri që me thembër e ka lëshuar në korridor për Dungën që i është shmangur mbrojtjes dhe përballë Hidit ka gjuajtur saktë duke shënuar.

Doli i Dilaver- 7 pasime

Goli i dytë vjen si pasojë e një presingu të lojtarëve të Vllaznisë ndaj kundërshtarit dhe si rrjedhojë, një pas i Shkallës nuk shkon në destinacion. Topi zotërohet nga Jonuzi, e ka pasuar tek Imeri, ai Dungës dhe ky i fundit ka pasuar tek Jonuz, sërish Dunga që nxjerr topin për mesfushorin kukësian i cili depërton në krah dhe pason saktë në zonë tek Dilaver që godet menjëherë duke e dërguar topin në rrjetë.

Goli i Imerit- 6 pasime

Ka qenë minuta e 43-të e ndeshjes. Gjithçka ka nisur nga një shkelm ridërgimi nga zona shkodrane, kryer nga portieri Zogoviç, topi ka shkuar në gjysmëfushën e Kastriotit teksa është goditur me kokë nga Husein dhe ka shkuar tek Krymi. Ky i fundit ka kaluar dy lojtarë kundërshtarë, e ka pasuar shkurt topin tek Dunga i cili e ka kthyer më pas tek Isaevki.

Futbollisti maqedonas me një top të gjatë ka gjetur Imerin që me kokë e ka kaluar topin tek Dilaver. Ky i fundit ka marrë me vete një mbrojës, është rrotulluar bashkë me të dhe ka pasuar tek Imeri që duke parë daljen e Hidit dhe e ka dërguar topin në formë parabole dhe direkt në rrjetë./SHKODRA-SPORT.COM/