Trajneri i Teutës Edi Martini shprehu zhgënjim pas barazimit të gjashtë radhazi në këtë sezon 1-1 me Laçin. Për “Gol pas goli” në “Supersport”, tekniku shkodran e justifikon ecurinë e barazimeve si çështje fati për “djemtë e detit”.
Martini

Për sa i përket dy momenteve të diskutueshme në këtë ndeshje me protagonist Lorenco Vilën dhe Blerim Krasniqin, Martini shprehu mendimin se arbitri Ardian Beqiri duhej të akordonte penallti për ekipin e tij.

“6 ndeshje radhazi barazim – Na duhet fati, më vjen keq për djemtë, krijuam raste, ushtruam shumë presion. Kundërshtari vetëm një herë goditi, më vjen keq se ikën dy pikë. Thjesht, është punë fati.

Ngërçi i golave – Kam provuar situata të tilla, jo kaq të gjata. E nisëm mirë me Bregun, pastaj u ndëshkuam. Është një situatë që rëndon kur ke 7 barazime dhe diferenca me rivalët rritet. Ndiej përgjegjësi për këtë situatë. Po punojmë dhe stërvitemi para porte, thjesht është çështje fati.

Krasniqi shpërdoroi raste – Krasniqi bëri një ndeshje shumë të mirë, por gaboi para porte. Ishte shumë i angazhuar në lojë, kishim raste jo vetëm me Krasniqin. Pata besim se mund të shënonim dhe me zëvendësimet. Gjithsesi, ajo që rëndon janë pikët.

Moviola – (Penalltia e Laçit) Është e vështirë ta dalloj. Nuk e di, ndoshta është mjeshtëria e tij. Do kisha dhe nëj rast të Krasniqit në pjesën e dytë, besoj se ishte penallti.

Vila (moviola) Shkon përplast me Vilën, i vë dhe duart në qafë. Për mua është në penallti, Ignjatoviç s’ka aspak lidhje me topin.

Krasniqi (moviola) Pavarësisht se Krasniqi s’është rrëzuar, ka goditje në këmbën e tij”, përfundoi Martini.