Komisioni i Disi plinës ka gjobitur dje me 2 milionë lekë të vjetër klubin e Vllaznisë për shkak të pranisë së një numri më të lartë spektatorësh nga sa lejohet, në ndeshjen e fundit për kampionat kundër Partizanit.

“KF Vllaznia, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mosrespektuar protokollin sanitar të FSHF-së dhe urdhrin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 633, datë 17.11.2020 ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura’, në bazë të neneve 63/1/b, 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë”, citohej në vendimin e Komisionit të Disiplinës.

ÇFARË NUK SHKON?

Në rastin e ndeshjes Vllaznia-Partizani, e zhvilluar më 13 dhjetor në stadiumin “Loro Boriçi”, u ankua klubi i kuq përmes drejtorit Olsi Rama. Sipas këtij të fundit nuk është normale që rregullorja të zbatohet vetëm nga Partizani në ndeshjet si pritës, ndërsa në Shkodër, dhe jo vetëm, të lejohet prania edhe e deri 600 tifozëve.

Duke qenë se pati polemika në media dhe kjo ankesë bëri bujë, menjëherë reagoi Disiplina me një gjobë ndaj Vllaznisë. Por çfarë ka ndodhur në javët e kaluara? I njëjti komision ka heshtur dhe pavarësisht faktit se prania e tifozëve në thuajse të gjitha stadiumet në vend ka qenë më e madhe nga numri i lejuar (mund të qëndrojnë vetëm nga 10 përfaqësues të skuadrave në tribunë), e ka kaluar pa asnjë masë parandaluese.

Mirëpo, në çdo ndeshje FSHF dërgon delegatët e saj (në Shkodër ishte Alban Tafaj) dhe është lehtësisht e verifikueshme nëse tribuna qendrore apo sektori VIP ka një numër të madh tifozësh në këtë kohë pandemie. Delegati ka të drejtë të urdhërojë ndërprerjen e ndeshjes deri në boshatisjen e tribunës. Në këto kushte, duke qenë se Vllaznia u bë shembull, mbetet për t’u parë nëse Disiplina do të mbajë të njëjtin standard në vijim edhe për stadiumet e tjera në Superiore.