Barazimi 1-1 në transfertë ndaj Teutës, si dhe fryma që po injekton trajneri i ri Shpëtim Duro duket se ka sjellë qetësinë dhe ka shtuar optimizmin në radhët e skuadrës së Laçit.

Të shtunën kurbinasit kanë një provë të vërtetë, ku në shtëpi presin kryesuesit e Superiores, Vllazninë. Pas tetë javësh kampionat Laçi ndodhet në vend të shtatë me 8 pikë dhe të diferencuar me 11 pikë nga vendi i parë.

Në këto kushte, sfida me Vllazninë merr një rëndësi të veçantë për Laçin, pasi tani kërkohet gjetja e korsisë së duhur për të hyrë në garë.

Kurbinasit janë konsideruar si pretendent kryesor para fillimit të sezonit, nisur nga ruajtja e grupit dhe afrimet e bujshme në merkaton e verës. Laçi do të kërkojë trepikëshin jo vetëm për të ndalur vrullin e shkodranëve, por edhe për të hyrë vetë në garë.