Mesfushori me tipare sulmuese Eraldo Deda po shfaqet gjithnjë protagonist në ndeshjet që po luan këtë kampionat me ekipin Vllaznia U21. 19 vjeçari për arsye dëmtimi, ka luajtur vetëm disa minuta në takimin e sotëm ndaj Dinamos, megjithatë ka lënë gjurmë sepse ka shënuar menjëherë.

Ka qenë goli i katërt për ekipin shkodran, ai që vulosi fitoren e tij në këtë ndeshje ndaj rivalit kryesor. Njëkohësisht ky ishte goli i pestë për Dedën në këtë kampionat, çka tregon se gjërat po shkojnë mirë për të.

“Jam i kënaqur për fitoren, pavarësisht se ishte një fitore pak e vuajtur. Loja jonë ishte shumë e mirë dhe kuptohet që jam i kënaqur për trepikëshin e marrë sepse jemi në vendin e parë të renditjes”- ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me objektivat për të ardhmen, ai do të shtonte: “Ekipi është përgatitur për të qenë kampion, por ne na duhet të punojmë shumë dhe të shpresojmë që edhe në fund të kampionatit të mbërrijmë të parët”.

Deda stërvitet me ekipin e parë, por duke mos patur hapësira aktivizimi me të, ka preferuar që ndeshjet t’i luajë me ekipin U21 dhe ai thotë se ndihet mirë kështu teksa deklaron: “Unë e ndiej veten shumë mirë tek ky ekip. Djemtë dhe stafi më kanë pritur shumë mirë. Normal që kur vjen nga ekipi i parë, përkrahja është edhe më e madhe, presin shumë prej meje dhe unë do të mundohem t’ia shpërblej me lojën dhe golat e mi.

Golat vërtetë që janë për ekipin U21, por kuptohet që pikësynimi im është që shpejt të debutoj edhe me ekipin e parë sespe kjo është ëndrra e madhe e imja dhe e çdo futbollisti”./SHKODRA-SPORT.COM/