Drejtori i Vllaznisë Matko Djarmati u shpreh në studionin “Sport News Plus” në “News 24”, se klubi shkodran do të bëjë 3 përforcime në janar, por pa prishur tërësinë e skuadrës.

“Të mungojnë gjithmonë 1-2 pikë. Nuk ndryshoj mendje, jemi në Kupat e Europës. Nëse nuk ia dalim në Kupat e Europës, është dështim. Kemi ndërtuar një skuadër 25 ndeshje. S’kemi qenë me 3 lojtarë sot me Skënderbeun dhe loja s’kishte ndryshim.

Një lojtar i mirë që të jetë i lirë në janar duhet të ketë dy arsye: ose do ketë problem disiplinore, ose klubi ka problem financiare. 300 mesazhe më vijnë në ditë për lojtarë nga Afrika, Kanadaja, SHBA-ja. Kontrolloj se sa interesant për ne mund të jetë.

Nëse do sjellim një lojtar nga Afrika, i duhet një muaj të kapë ritmin, me motin, ushqimin, ritmin. Kemi shumë kujdes në merkato. Do bëjmë 3 ndryshime në të gjitha repartet. Varet nga të gjithë lojtarët.

Kemi bërë një diskutim me lojtarët dje. Nëse ka të pakënaqur le të gjejnë e të shikojnë një ekip të mirë. Na intereson skuadra që të sjellë rezultate”, u shpreh drejtori i Vllaznisë Matko Djarmati.