Do të jetë një vit i pazakontë edhe në futboll. Ndryshe nga çdo herë tjetër, skuadrat e Superligës do ta ndërpresin shpejt atë që mund të quhet fazë përgatitore e do të zbresin herët në fushë.

Superliga rifillon rrufeshëm për shkak të kohës së humbur me bojkotin e Ligës dhe java e 13-të do ta ketë ndeshjen e parë në 8 janar. Atë të premte, në orën 18:00, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, do të luhet kryendeshja e kampionatit, Vllaznia-Teuta.

Flasim për dy ekipet e vendeve të para, me shkodranët që kryesojnë renditjen me 26 pikë dhe durrsakët që i ndjekin me 20. Shans i mirë për ekipin e trajnerit Tomas Brdariç për të thelluar diferencën me vendin e dytë, gjithnjë në rast fitoreje.

Në Shkodër do të jenë përballë sulmi më i mirë i Superligës, ai i Vllaznisë që ka shënuar 21 gola deri tani, dhe mbrojtja më e mirë, ajo e Teutës që ka pësuar vetëm 5 herë.

Ndeshjet e tjera luhen të shtunën e 9 janarit, në oraret 13:45 e 16:45. Spikat dueli në Kurbin, mes Laçit dhe Kukësit, dhe vendasit kanë mundësi të kapërcejnë kuksianët në rast fitoreje.

Tirana kampione shkon në fushën e Bylisit, një ndeshje e vështirë ndaj një ekipi që kërkon pikë sepse rrezikon rënien, ndërsa tiranasit duan fitoren për të mos mbetur edhe më prapa Vllaznisë.

Në orën 16:45 të së shtunës së ardhshme, Partizani do të mbyllë javën e 13-të me ndeshjen në kryeqytet ndaj Apolonisë. Kalendari do të jetë i ngjeshur deri në fund të këtij muaji, pasi do të luhen plot 5 javë deri në 31 janar./abcnews/