Një lajm i madh për Par tizanin! Merkato e ja narit është zhbllokuar për “demat e kuq” dhe vendimi i djeshëm i dhënë nga KAS, ka qenë në favor të klubit kryeqytetas. Prej disa muajsh, Partizani ishte në gjyq kundër FIFA-s, që kishte marrë në konsideratë apelimet e Alaves dhe Istras, duke e dënuar më pas Partizanin.

Klubi i kuq pajtoi një studio ligjore spanjolle dhe e ndoqi deri në fund këtë çështje. Një çështje që ka filluar që në muajin korrik dhe vetëm në fillim të janarit, u dha një përgjigje sa i takon merkatos. Pas provave të reja të paraqitura nga Partizani, KAS i dha të drejtë klubit të kuq dhe vendimi ishte në favor të “demave”.

NJOFTIMI I PARTIZANIT – “Klubi njofton se sot është bërë me dije nga CAS për heqjen e pezullimit të sesionit të transferimit të lojtarëve, vendim që ishte në fuqi nga FIFA në lidhje me çështjen e sulmuesit Erald Çinari. Klubi saktëson se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje. Nga ky moment, tashmë FK Partizani rifiton të drejtën për të operuar në merkaton e janarit”.

ÇINARI – Një tjetër çështje që ishte në KAS, ishte ajo e Çinarit kundër FIFA-s. Sulmuesi apeloi dënimin e tij me 4 muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik, por apelimi i tij është rrëzuar poshtë, duke mos u pranuar nga FIFA. Çinari nuk aktivizohet që nga mesi i muajit korrik për Partizanin. Mesfushori anësor ka shlyer dy javë aktivitet gjatë korrikut, për të vazhduar më pas me muajin nëntor dhe dhjetor.

Deri më tani, Çinari ka shlyer dy muaj e gjysmë nga pezullimi. Në rast se aktiviteti nuk ndalet për arsye të ndryshme, Çinari do të jetë i gatshëm për Partizanin në mesin e muajit shkurt. Çinarit i skadon kontrata me Partizanin më 30 qershor të këtij viti. 24-vjeçari është një lojtar shumë i rëndësishëm për “demat”.

STUDIO SPANJOLLE – Bashkëpunimi me studion prestigjioze spanjolle, duket se i dha frytet e veta. Partizani u shpall fitues dhe përveç hapjes së merkatos, ku do të kenë mundësinë të përforcojnë ekipin, do të kenë dhe mundësinë e apelimit për të kërkuar dëmshpërblim. Avokati Juan de Dios dhe zyra e avokatisë së Antonio Kontes kanë qenë një “armë” e fortë e Partizanit në gjyqin e 15 dhjetorit, të zhvilluar “online” për shkak të situatës së krijuar.

VENDIMI FINAL – Ashtu siç raportoi dhe klubi i Partizanit, vendimi i përkohshëm ose momental është ai i zhbllokimit të merkatos. Një njoftim paraprak dhe në ditët e ardhshme, do të përcaktohen dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë klubi për të vepruar.

Zbardhja e plotë dhe përfundimtare e vendimit të KAS, pritet të publikohet nga klubi i Partizanit që do të sqarojë edhe më tepër opinionin publik dhe tifozët e kuq. Për momentin, fakti kryesor për “demat” është zhbllokimi i merkatos, çka ishte dhe objektivi parësor i tyre.