Mbrëmja e djeshme nuk ishte shumë e mirë për Milanin, pasi kuqezinjtë regjistruan humbjen e parë pas 27 rezultatesh pozitive në Serie A. Ishte Juventusi i Andrea Pirlos ai që ndali vrullin e “Djallit”, pasi i mposhti 1-3 në “San Siro”.

Përpos humbjes në duelin e djeshëm një tjetër rekord u vendos për Milanin, por në veçanti për familjen Maldini.

Trajneri Pioli vendosi t’i jepte disa minuta Danielit dhe e hodhi në fushë në minutën e 81-të të takimit. Kjo ishte ndeshja e gjashtë në Serie A për djalin e Paolos dhe ndeshja e 1.000 në Serie A për familjen Maldini.

Kujtojmë që historinë e ka filluar gjyshi i Daniel, Cesare, i cili ka luajtur 347 ndeshje në kampionatin italian.

Më pas ishte Paolo me 647 ndeshje duke shkruajtur historinë e klubit milanez dhe tashmë është djali i tij, i cili po vazhdon atë që gjyshi i tij ka nisur vite më parë. /abcnews